Arie Han ka debutuar me sukses  përpara publikut shqiptar në “Qemal Stafa” pasi ekipi ynë kombëtar fitoi 2-0 ndaj Lihtenshteinit, që renditet i 128 në klasifikimin e FIFA-s. Protagonisti kryesor në këtë takim ka qenë i riu Jahmir Hyka që ka shënuar golin më të shpejtë në historinë e kombëtares shqiptare vetëm pas 46 sekondash.

Mesfushori i Mainzit nuk shpërdoroi aksionin e parë të ekipit tonë, duke realizuar për herë të parë me kombëtaren. Edmond Kapllani i ndihmuar edhe nga portieri Peter Riele ka dyfishuar avantazhin në minutën e 18. Loja e Shqipërisë ka pasur edhe pikat e saj të dobëta veçanërisht në mbrojtje, e cila i dha mundësinë kundërshtarëve të rrezikojnë. Risia e Ari Hanit në këtë ndeshje ka qenë aktivizimi që nga minuta e parë e mbrojtësit Admir Teli dhe rikthimi i Ansi Agollit në kombëtare pas 2 vjetësh.

Trajneri holandez luajti gjatë gjithë kohës me vetëm një sulmues, fillimisht me Edmond Kapllanin dhe më pas me Hamdi Salihin ndërsa nuk shfrytëzoi për asnjë moment Isli Hidin dhe Endri Vrapin. Fitorja e fundit e Shqipërisë daton te 22 gishtin e kaluar në miqësoren e zhvilluar në Tiranë ndaj Maltës, skuadra e drejtuar aso kohe nga Otto Baric, triumfoi me rezultatin 3-0.

Ky ishte testi i fundit që Han pati para nisjes së kualifikueseve të kupës së botës 2010, që do të fillojnë me Suedinë me 6 shtator e më pas me Makltën me datë 10 në Tiranë./tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku