Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Është mbledhur nën drejtimin e kryeministrit Nano Këshilli Kombëtar i Rrugëve. Në këtë mbledhje është vendosur në lidhje me miratimin e tre akseve rrugore, pjesë e korridoreve kryesore kombëtare. Kryeministri ka cilësuar tashmë të konkretizuar strategjinë afatmesme, të prioriteteve në sistemin rrugor në vend, me qëllim kryesor përfundimin e korridorit veri-jug dhe lindje-perëndim.

Në mbledhje është raportuar se do të përfundojë brenda vitit, rregullimi i akseve Rrogozhinë-Elbasan dhe Qukës-Qafë Thanë. Ndërsa në Mars fillojnë punimet në aksin Elbasan-Librazhd. Ndërkohë, në këtë këshill janë diskutuar disa projekte të paraqitura për rrugët Qafë Thanë-Pogradec, pjesë e korridorit lindje-perëndim. Për miratim është shtruar dhe realizimi i rrugës Fier-Tepelenë, si dhe Konispol-Sarandë-Jorgucat. Kryeministri është shprehur dhe në lidhje me korridorin e rëndësishëm Durrës-Kukës-Morinë.

Kryeministri Fatos Nano:- “Brenda muajit Qershor 2003, do të përfundojë studimi i fizibilitetit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, për të kaluar më pas në projektet e zbatimit dhe në fazën e implementimit të këtij arteri prioritar. Në aksin veri-jug, kanë përfunduar punimet në segmentin rrugor Milot-Lezhë dhe janë në vazhdim punimet në segmentin rrugor Lezhë-Shkodër, të cilat janë planifikuar të përfundojnë në vitin 2004”.

Për realizimin me sa më shumë efikasitet të këtyre projekteve në rritjen e parametrave të mirëmbajtjes së sistemit rrugor, Nano ka shpallur edhe disa ndryshime në kuadrin ligjor dhe të formave të menaxhimit.

Kryeministri Fatos Nano:- “Ne nuk mund të vazhdojmë të investojmë në mënyrë të pjesshme, vetëm sepse ligji i prokurimeve, nuk e lejon një gjë të tillë. Është detyrë e qeverisë që të krijojmë gjithë hapësirën e duhur, që projektet me rëndësi strategjike, për zhvillimin kombëtar të realizohen sa më shpejt. Për herë të parë këtë vit, do të aplikohet një skemë e re e përfshirjes së drejtpërdrejtë e sipërmarrjes private edhe në mirëmbajtjen e sistemit rrugor”.

Në lidhje me fondin e realizimit të sistemeve të rrugëve, Ministri Transportit Spartak Poçi është shprehur, se deri në fund të muajit Janar të këtij viti, janë gjendje për rregullimin e rrugëve 1.5 miliard lekë, ndërsa deri në fund të vitit synohet, që shuma e gjendjes të rritet dhe me 3 miliard lekë të tjera./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj