Spiker: Oljana Maloku

Headlines 30 Qershor 2024

Kritika të ashpra pas eliminimit të Italisë. Spalletti pranon gabimet: Dështova unë

Shkakton reagime të ashpra dhe kritika të forta nga mediat, eliminimi i Italisë nga Kampionati Europian i Gjermanisë. Trajneri Spalletti pranoi gabimet duke e quajtur një dështim të tij humbjen me një lojë turpëruese përballë Zvicrës.

Tifozët shqiptarë, të 4-tit në Europian. 95 mijë kuqezinj në 3 ndeshjet e grupeve

Rreth 95 mijë tifozë shqiptarë ishin të pranishëm në stadiumet gjermane gjatë 3 ndeshjeve të Kombëtares. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat ndërkombëtare, kuqezinjtë renditen të katërtit, mes 24 vendeve pjesëmarrëse në “Euro 2024”.

Shpërndahen 200 tapitë e para në Theth. Rama: Falim gjobat për ndërtimet pa leje

U shpërndanë sot pas 34 vitesh, 20 certifikatat e para të pronësisë në Theth. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama që pranoi problemet me çështjet e pronësisë. Rama tha se në këtë zonë do të falen gjobat për ndërtimet pa leje.

Dronët “Bayraktar” nisin monitorimin nga ajri. Ministria e Mbrojtjes publikon imazhet e para

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar sot pamjet e para të siguruara nga dronët “Bajraktar”. Ata po përdoren në misione ushtarake, për të rritur sigurinë dhe për të pasur një kontroll më të mirë të territorit në situata përmbytjesh apo zjarresh.

Brataj: Problem, përdorimi i drogave sintetike në timon. Në verë shtojnë aksidentet për shkak të festave

Kreu i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj thotë stina e verës sjell gjithmonë një shtim të aksidenteve, por shqetësues po bëhet përdorimi i drogës në timon. Sipas tij problem janë drogat sintetike që mund të shkaktojnë pasoja të rënda.   

Franca voton sot në zgjedhje të parakohshme. Sondazhet: Fiton ekstremi i djathtë i Marine Le Pen

Franca voton sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sondazhet nxjerrin në krye partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen ndërsa koalicioni i presidentit Macron ka zbritur në vend të tretë pas aleancës së partive të majta.