Vajzat në Shqipëri po zgjedhin gjithnjë e më shumë të plotësohen nga ana e formimit arsimor dhe profesional.

“20% e djemve të cilët përfundojnë ciklin e detyrueshëm 9-vjeçar dhe shkollën e mesme nuk ndjekin universitetin, e për pasojë universitetet po prodhojnë më shumë femra të diplomuara, ndërsa meshkujt po mjaftohen vetëm me ciklin 9-vjeçar apo me shkollën e mesme”, raporton gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.

Vetëm vitin që lamë pas, vajzat e diplomuara në universitet përbënin 65.2 % të totalit të studentëve. Për ekspertët kjo lidhet edhe me faktin që djemtë orientohen më shpejt drejt tregut të punës.

“Ndoshta meshkujt janë të orientuar drejt fitimit të një profesioni më shpejt dhe të jenë të aftë për punë. Djemtë preferojnë që kur mbarojnë shkollën e mesme zgjedhin të punojnë ose të zgjedhin arsimin profesional. Në vendin tonë, prej një 5-vjeçari kemi një avancim dhe zhvillim të shkollave profesionale”, thotë Irida Sina, eksperte e arsimit.  

Edhe të dhënat europiane e rendisin Shqipërinë si një vend që po njeh rritje të grave dhe vajzave që ndjekin degët ekzakte. Sipas Eurostat, vendi ynë renditet i katërti nga 37 vende për përqindjen e lartë të femrave që ndjekin universitetin dhe diplomohen në lëndë të tilla, si matematikë, inxhinieri, ndërtim, teknologji dhe komunikacion.

Tv Klan