Fatmirësisht, më e keqja tani është lënë pas për Ylber Ramadanin. Mesfushori i Leçes u përball me një problem shumë të rëndë shëndetësor disa javë më parë. Lojtari kuqezi tregoi se ai rrezikoi vdekjen, por në klubin puljez u kujdesën për të. Ramadani ka treguar momentin e vështirë gjatë një interviste për ‘Dazn Talks’.

“Kam qenë me të vërtetë keq! Rrezikova të vdisja, tani jam mirë! Isha vërtet i sëmurë, pati një shqetësim të madh, por tani jam kthyer, jam mirë dhe jam i lumtur që e kam bërë këtë, duke festuar shpëtimin e ekipit. Ishte si të kisha përreth meje një familje. Për dhjetë ditë të gjithë më shikonin si të isha fëmijë, sikur të isha djali i të gjithëve, i presidentit, drejtorëve apo trajnerit.”

Ramadani shprehet se të luajë me Shqipërinë në Euro 2024, e kjo për të është një ëndërr.

“Në Europian do të kemi kundër edhe Italinë. Do të përpiqemi të bëjmë maksimumin, por të kaltrit janë me të vërtetë të fortë. Ashtu si edhe Spanja e Kroacia. I thashë një herë Pograçiç që ne dhe Italia do të kualifikohemi, kurse Spanja e Kroacia do të eliminohen.”

Ramadani tha se synimi i radhës është që t’u dhurojnë tifozëve një fitore kundër Atalantës në sfidën e fundit të këtij sezoni në shtëpi.

Klan News