Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Takimi i cili filloi me dhënien e duarve të Kryeministrit Fatos Nano me Ministrin e Jashtëm Ilir Meta, synonte nxitjen e projekteve të këtij korridori. Kryeministri Nano u shpreh, se Korridori 8 siguron shanse të mëdha për të përshpejtuar procesin e europianizimit të këtyre vendeve për arsye historike ka qenë jashtë integrimit me Europën.

Ministri Meta u shpreh, se takimi i tregoi Bashkimit Europian dhe dhuruesve vullnetin politik për këtë projekt infrastrukturor dhe politik. Sipas Metës nuk është përcaktuar ndonjë kohë konkrete për realizimin e projekteve.

Ilir Meta:- “Nuk është përcaktuar ndonjë afat për përfundimin e Korridorit 8, për arsye sepse ky takim i zhvilluar në nivelin e ministrave të jashtëm, nuk synon për të hyrë në detaje të realizimit, të konkretizimit dhe përfundimit të projekteve që kanë të bëjnë me realizimin e Korridorit 8, por ka synuar për të sensibilizuar qeveritë e vendeve tona, të Bashkimit Europian, institucionet ndërkombëtare financiare, në mënyrë që të nxisin edhe më shumë se sa deri tani realizimin e gjithë projekteve që kanë të bëjnë më Korridorin 8”.

Franko Fratini, ministri i jashtëm i Italisë, e cila merr presidencën e radhës të BE tha, se vendi i tij synon që Korridori 8 të mos jetë premtim por realitet./tvklan.al