Fatmir Konja: “Situata paraqitet më e rënduar në Qarkun e Kukësit, ku reshjet e dëborës kanë qenë më të shumta dhe trashësia e saj ka arritur deri në 40 cm në zonat pranë akseve rrugore nacionale dhe deri 1000 m në zonat e thella malore. Aktualisht në rrethin e Kukësit janë të bllokuara komunat Shishtavec, Arren, Kalis, Grykçaj, Zapot, Topojan, Ujëmishtë dhe Tërthore. Po kështu situatë e vështirë paraqitet edhe në rrethin e Tropojës ku është e bllokuar rruga Bajram Curri-Lekbibaj, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme me vështirësi dhe me zinxhirë. Rrugët e pothuajse e të gjitha fshatrave janë të bllokuara pasi ka shumë ngrica. Në Qarkun e Shkodrës situatë më e vështirë paraqitet në Pukë, ku rrugët nacionale janë të kalueshme por me zinxhirë. Në rrethin e Shkodrës është e bllokuar rruga Pogë-Shalë, ndërsa në Malësinë e Madhe rruga Tamar-Vermosh. Në qarkun e Dibrës, janë të bllokuara disa rrugë rurale si Ura e Qerenecit-Streblevë, Ostren-Klein, rruga për në Lurë. Në Bulqizë rrugët për në Ostren, Xibër dhe Trebisht si dhe rruga Macukëll-Darjan në qarkun Dibër. Në qarkun e Korçës janë krijuar vështirësi në akset Korçë-Ersekë në Qafin e Qarrit, në aksin rrugorë Korçë-Pogradec-Qaf Thanë dhe në rrugën Prrenjas-Qaf Thanë. Vlen të theksojmë se të gjitha asket rrugore nacionale janë të kalueshme pavarësisht vështirësive kur kërkohet edhe përdorimi i zinxhirëve në segmente të caktuara. Shtabet e emergjencës të të gjitha niveleve janë të organizuar dhe po bashkëveprojnë në marrjen e masave të duhura për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e borës. Forcat e rendit dhe të ndërhyrjes së shpejt janë të mobilizuara për përballimin e situatës, ndërsa efektivat e policisë rrugore po punojnë intensivisht duke organizuar dhe drejtuar qarkullimin e mjeteve”./tvklan.al