Fatmir Konja: “Nesër e hënë 12 janar 2009 fillon procesi i aplikimit të qytetarëve shqiptarë, për pajisjen me letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike. Në vigjilje të kësaj ngjarje tepër të rëndësishme, së pari për vetë qytetarët shqiptarë dhe së dyti për proceset integruese të Shqipërisë, Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik. Skema e aplikimit për këto dokumente është fare e thjeshtë. Paguhet në postë, ose pranë institucioneve ku keni qendrën e punës, tarifa për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Qytetari paraqitet në zyrat e aplikimit që janë pranë çdo njësie bashkiake. Qytetari paraqet mandat arkëtimin dhe prezantohet duke treguar një nga dokumentet që do të identifikojë veten pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, fletë-hyrje për në institucione etj. Të dhënat gjenerohen direkt nga regjistri kombëtar i gjendjes civile. Operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të 3 personat, qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit, nëse jo qytetari shkon në gjendjen civile. Pastaj merren shenjat e gishtave, dilet në fotografi dhe merret edhe nënshkrimi elektronik, gjithçka në një zyrë dhe vetëm njëherë.”/tvklan.al