Masat e forta të sigurisë që po shoqërojnë ekipin Izraelit nuk e çojnë në plan të dytë ndeshjen me Shqipërinë.

Të dy përfaqësueset zhvilluan stërvitjen në Elbasan Arena, duke iu kushtuar taktikës dhe mënyrës se si do të kërkojnë fitoren të shtunën në mbrëmje. Trajneri i Izraelit, Elisha Levy ktheu vëmendjen te takimi.

Elisha Levy, trajner i Izraelit:

E dimë formacionin e Shqipërisë për ndeshjen megjithëse edhe mund të ndryshojnë titullarët. Do të përpiqemi të jemi gatshëm për gjithçka. Jemi në të njëjtën kuotë pikësh, por kjo nuk do të thotë që rezultati do të vendosë vendin e tretë në grup, pasi ka ende ndeshje për të luajtur. Ne do të japim maksimumin për të fituar, por do të pranonim edhe barazimin.

Gianni De Biasi ka në mendje vetëm fitoren, duke thënë se në fushë do të zbresë formacioni më në formë.

Gianni De Biasi, trajner i Shqipërisë:

Ne luajmë gjithmonë për të fituar. Këtë duhet ta bëjmë në mënyrën më inteligjente, duke shfrytëzuar të gjitha shanset që do të kemi. Në fushë do të zbresin lojtarët më në formë, që do të na japë garanci për rezultatin e kërkuar. Për Sadikun dhe Roshin duhet prisni deri përpara ndeshjes.

Gianni De Biasi shprehu keqardhjen për ndryshimin e planeve për tifozët, ndërsa stadiumin e Elbasanit e quajti fatsjellës. Të dy trajnerët mendojnë se siguria është e duhura dhe se në fushë do të mendohet vetëm për të luajtur futboll./TV KLAN