Albana Nanaj, autorja e emisionit “Check-in”, i cili tregon dhe promovon vendet turistike në mbarë botën ditën e sotme ishte e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan për të folur pikërisht për eksperiencën e saj me udhëtimet.

“Udhëtimi i ëndrrave” e ka quajtur Nanaj atë të zhvilluar në Bora Bora për 50-vjetorin e saj. Ajo ka treguar eksperiencën e udhëtimit në Polinezinë Franceze të cilën theksoi që e kishte dashur ta realizonte prej vitesh.

Albana Nanaj: Në Janar pata 50-vjetorin dhe kam disa vite që ditëlindjen mundohem ta kaloj jashtë në destinacione të ndryshme. Bora Borën dhe Polinezinë Franceze i kam pasur… është ai udhëtimi i ëndrrës. E kam shitur shumë si destinacion. Unë e kisha prit e prit që të bëja këtë udhëtimin e ëndrrave dhe e realizova për 50-vjetorin tim. Bëra Tahitin, Moorean dhe Bora Borën, janë vërtet destinacione parajse. Shërbimi i nivelit të lartë, sepse është destinacion shumë i shtrenjtë dhe shumë i largët.

Nanaj teksa foli për eksperiencën e udhëtimit të saj në vendin e ëndrrave, Bora Bora theksoi se si të gjitha udhëtimet e saj nuk pëlqen të qëndrojë në një vend, dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe në këtë vizitë në Polinezinë Franceze./tvklan.al