Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet me nga një korsi në të dy krahët e saj. Lajmi u bë me dije nga zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Bashkë  me korsinë e emergjencës, aksi rrugor do të ketë 4 korsi në të dy krahët e tij dhe puna për ndërtimin e tyre nis në shtator.

Gjithashtu do të rehabilitohet edhe rruga e vjetër e Ndroqit, e cila Balluku shpreson se do t’i japë një frymëmarrje të re agroturizmit të zonës.

Belinda Balluku: Ne duhet t’i përgjigjemi me urgjencë shumë të madhe Tiranë-Durrësit, janë lidhur dy kontratat e para por nisim nga “Shqiponja” në drejtim të Durrësit. Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet nga të dyja anët me 1 korsi, pra do të shkojë me 3 korsi, plus korsinë e emergjencës.

Aldo: Tiranë-Durrës do të shkojë me 3?

Belinda Balluku: Po, Tiranë-Durrësi nga sheshi “Shqiponja” deri në Durrës shkon me 3 korsi. Kontratat e para nisin menjëherë, kantieri do të mobilizohet në shtator sepse nuk duam të krijojmë problematika tani dhe do të kemi një rrugë që do të ketë 3 korsi, plus korsinë e emergjjencës, pra në total 4 korsi nga të dyja krahët. Tiranë-Durrësi do të adresohet shumë shpejt, sigurisht me ritme të tjera , jo me ritmin e koncensionit pasi këtu zona ka qenë kryesisht me toka buke dhe e ke dëgjuar që ka pasur problematikë, imagjino çdo të ndodhë në të dy krahët e Tiranë-Durrësit, por në pjesën më të madhe të saj kemi hapësirë për t’u zgjeruar pasi ka një kanal kullues në të dyja krahët deri në Kashar, ai kanal kullues do të ruhet por do të mbyllet dhe sipër do të kalojë rruga ndërkohë që do të kryejë funksionet duke qenë i izoluar brenda tubavve gjigantë të betonit.

Aldo: Ndërkohë duhet bërë kjo e Ndroqit?

Belinda Balluku: Rruga e Ndroqit nis menjëherë, do të ketë një organizim të tillë…

Aldo: Është nostalgjike, është e bukur.

Belinda Balluku: Ajo është shumë e bukur dhe ne aty kërkojmë të nxisim agroturizmin sepse ka shumë ferma, ka produkte dhe besojmë që duke rehabilituar atë rrugë, gjurma do të qëndrojë e njëjtë përveç disa vendeve ku do të eliminojmë kthesat për arsye sigurie dhe ne mendojmë që do të nxisim të tjera ferma që do të ngrihen në atë zonë sepse është zonë jashtëzakonisht pjellore, me njerëz shumë punëtorë dhe ne mendojmë që mund të kthehet në një pol tjetër të Tiranës sa i përket pjesës së agroturizmit. Planet janë të mëdha.

Ministrja Balluku shtoi se për aksin Thumanë-Kashar do të ngrihet një njësi e dedikuar e Policisë Rrugore që do të monitorojë automjetet dhe shpërndarjen e trafikut.

Belinda Balluku: Kjo autotradë prej 21 km, flasim për Thumanë-Kasharin do të kontrollohet nga  jë njësi speciale e policisë rrugore. Ëështë një bashkëpunim midis koncensionarit dhe Policisë Rrugore për sa i përket pagesës të gjithë shpenzimeve që do të duhet për ngritjen e kësaj njësie të re, por Policia Rrugore këtu do të ketë skuadër të dedikuar, janë patrulla që do të patrullojnë, nuk janë që nesër s’i kemi, duhet ta dinë drejtuesit e automjeteve këtë. Policia Rrugore do të ketë njësi të dedikuara të cilat do të  kontrollojnë fillimisht dëshirën e madhe të drejtuesve të automjeteve për të përdorur 130 km por ndonjëherë edhe më shumë që nuk duhet, por nga ana tjetër edhe shpërndarjen e flukseve të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës./tvklan.al