Tension e përplasje ishte kryefjala e protestës së radhës që opozita dhe “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” zhvilloi përpara Bashkisë së Tiranës.

Për më shumë se 60 minuta protestuesit të shoqëruar nga deputetë dhe përfaqësues të opozitës në Këshillin Bashkiak kërkuan dorëheqjen e Kryebashkiakut Veliaj.

Mungesa e barrierave metalike i shtyu disa herë protestuesit përpara uniformave blu, të cilët në përpjekje për të hyrë brenda në bashki u përplasën fizikisht me efektivët e policisë.

Edhe në këtë tubim, vezët, lëndët piroteknike dhe gomat ishin arsenali i protestuesve.

Kjo është protesta e 14 që opozita zhvillon përpara Bashkisë së Tiranës pas arrestimeve nga ana e SPAK-ut të 3 prej drejtorëve të këtij institucioni dhe lënies në detyrim paraqitje të 6 zyrtarëve të tjerë.

Tv Klan