Për herë të parë do t’i duhet të heqë dorë si tifoz i Italisë për të brohoritur në stadium për kuqezinjtë e Kombëtares, të cilët në orën 21.00 do të kërkojnë një mrekulli ndaj azurrëve në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Në një intervistë për median italiane “Tutto Sport” Edi Rama s’e fsheh kënaqësinë edhe të një barazimi me Italinë, e cila në këtë Europian përfaqësohet me 4 prej lojtarëve të Juves, skuadra e zemrës së Kryeministrit.

“E pabesueshme. Do të jetë hera e parë dhe shpresoj e fundit në jetën time, që dëshiroj që Italia të mos fitojë një ndeshje ne Kampionatin Europian. Por gjithsesi, mua do më pëlqente më mirë një barazim, i cili për kuqezinjtë tanë do ngjante si një fitore. E di që për “axurrët”, një barazim me Shqipërinë do ishte fillimi i një gjyqi ndaj Spaletit. Por, për fat të keq, Italisë nuk mund t’i uroj asgjë më shumë se një barazim.”

Ndonëse një tifoz i flaktë i Italisë, miqve përtej Ardiatikut i kujton supermacinë e kuqezinjve.

“Duhet t’i frikësoheni supermacisë së qartë të Shqipërisë në tribuna, ku sigurisht fitojmë. Jemi një skuadër që nuk kemi se çfarë të humbim.”

Edhe kjo përballje do ta gjejë në stadium, ku thotë se pret të përjetojë emocione nga djemtë e Silvinjos në fushë.

“Kjo është Kombëtarja shqiptare me lojën më të mirë që mbaj mend. Grupi u kualifikua duke bërë gjithmonë futboll të mirë dhe nganjëherë, një lojë emocionuese.”

E sa për atmosferën që pritet të sjellë kjo ndeshje, Rama thotë se kuqezi nuk do jetë vetëm Shqiperia.

“Në këtë Kombëtare bashkohen me Shqipërinë edhe populli i Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët në të gjitha pjesët e botës. Lojtari jonë i dymbëdhjetë përbëhet nga 10 milionë zemra dhe në Dortmund do të jetë një ortek kuqezi.”

Mes 26 lojtarëve të Spaletit për këtë Europian, Rama ka edhe një të preferuar.

“Donaruma, pa asnjë dyshim.”

E nëse Shqipëria do të eliminohej nga Europiani, padyshim që tifo do bënte për skudrën e tij të vjetër.

“Gjithmonë Italinë.”

Tv Kla