Trafikimi i grave dhe vajzave për qëllime prostitucioni mbetet ende shqetësim për vendin tonë. Një raport i fundit mbi përpjekjet e qeverisë në parandalimin e këtij fenomeni për vitin që lamë pas, jep informacione mbi vendet e origjinës, kontingjentin e viktimave të trafikimit, destinacionin dhe mënyrat e rekrutimit.

Në raport thuhet se qytete Fier, Berat dhe Vlorë janë vendet e origjinës nga ku përthithet kontingjenti më i madh i trafikimit për prostitucion. 368 femra rezultojnë të trafikuara dhe në 58% të rasteve rekrutimi i tyre është bërë nga persona të njohur, me të cilët kanë patur raporte miqësore.

Në raport thuhet se niveli i ulët ekonomik në 27% të rasteve, apo kërkesa për një të ardhme më të mirë në 30% të rasteve kanë çuar në trafikimin e grave dhe fëmijëve shqiptare. 61% e grave dhe fëmijëve të trafikuar kanë patur destinacion Greqinë.

I pranishëm në prezantimin e këtij raporti ambasadori amerikan Withers kërkoi një angazhim më të madh të shoqërisë civile në parandalimin e këtij fenomeni.

John Withers: “Qeveria amerikane ka qenë prej kohësh e mendimit që një luftë e efektshme kundër trafikimit njerëzor  kërkonte një veprim proaktiv për të identifikuar rastet e trafikimit, si dhe mes faktorëve të tjerë dhe për një informacion të plotë për mënyrën se si ndodh dhe ku ndodh ai. Të dhënat e besueshme mbi projektet antitrafik mund të ndihmojnë që të demonstrojnë, se si Shqipëria punon për të bërë ballë kësaj çështje. Jam i informuar që gjatë vitit 2008 është viti i parë kur aktorët kanë filluar të përdorin një  sistem të unifikuar të mbylljes dhe përpunimit të të dhënave, e cila ka çuar në përdorimin e një informacioni të holluar dhe për rrjedhojë një pamje të plotë të trafikimit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të inkurajojmë qeverinë të vazhdojë të ndajë informacionin e saj me shoqërinë civile, mbi trafikimin e qenieve njerëzore.”

Iva Zajmi: “Lufta kundër trafikimit mund të jetë e suksesshme vetëm në qoftë se të gjithë aktorët që marrin pjesë në të, qendror dhe vendor, shtetëror dhe jo shtetëror, ndjejnë një përgjegjësi personale të plotë dhe të pakushtëzuar për të bërë diçka për të siguruar lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve të këtij vendi.”

Jo në pak raste gjykatat shqiptare kanë dhënë dënime maksimale për trafikantë apo persona që shfrytëzojnë femra për prostitucion apo kryejnë trafik të organeve./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani