Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Nisma e kongresmenëve amerikanë ka ngjallur reagimet e para në Beogradin zyrtar. Reagimi i parë vjen nga Ministri i Punëve të Jashtme Goran Svilanoviç. Ai ka njoftuar se Jugosllvia do të bëjë gjithçka nëpërmjet përpjekjeve diplomatike, që propozimi për pavarësinë e Kosovës, të mos mbështetet nga Kongresi Amerikan, ka deklaruar Svilanoviç.

Nga ana tjetër kryeministri serb Zoran Gjingjiç, duke folur në mediat elektronike serbe, për deklaratën e vetë, të cilën ua ka dhënë mediave gjermane dhe vënien në lidhje të statusit të ardhshëm të Kosovës, me parimin e marrëveshjes së Dejtonit, tha se qëndron pas deklaratës së vetë.

Marrëveshja e Dejtonit, ka caktuar parimin e kufijve administrativ e jo kombëtar dhe kjo aplikohet kudo, përveç në rastin e Serbisë. Sipas kryeministrit serb, marrëveshja e Dejtonit, ka caktuar mundësitë, që bashkësitë etnike, t’i fitojnë të drejtat institucionale, dhe Serbia një gjë të tillë, njësojë do ta kërkojë edhe për serbët në Kosovë.

Në rezolutën 12/44, nuk ekziston garanci serioze, se fati i Kosovës do të jetë i lidhur me Jugosllavinë. Nuk duhet të heshtim dhe të presim, që Kosova të bëhet shtet i pavarur, sepse atëherë në radhë do të vijnë edhe disa shtete të tjera në fqinjësi, tha Gjingjiç. Edhe kryetari i qendrës koordinuese për Kosovën Nebojsha Çoviç, deklaroi për të përditshmen Blic, se shteti serb ka strategji për Kosovën.

Sipas fjalëve të tij, në planin për Kosovën është theksuar, se zgjidhja e problemit të Kosovës pa pjesëmarrjen e RFJ dhe Serbisë, nuk do të sjellë deri tek rezultatet e pritura. Për RFJ dhe Serbinë, nuk janë të pranueshme qëndrimet për Kosovën e Pavarur, kurse statusi i vazhduar me planin ndërkombëtar, deri në kthimin e Kosovës në përbërje të RFJ dhe Serbisë, mbështet vetëm si zgjidhje kalimtare./tvklan.al