Të gjitha konviktet e studentëve do të rikonstruktohen falë investimeve nga biznese të ndryshme. I pranishëm gjatë inpesktimit të punimeve në rezidencën Nr. 20 dhe Nr. 21 të Qytetit Studenti, kryebashkiaku Veliaj tha se deri në verë do të përfundojnë punimet për të gjitha ambientet e përbashkëta në Qytetin Studenti.

“Dua të falenderoj të gjitha kompanitë që i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit dhe bashkisë për të adoptuar një konvikt. Deri në fund të muajit, me këtë sistem adoptimesh, ku një kompani merr përsipër një konvikt, do t’i kemi adoptuar të gjitha konviktet e “Qytetit Studenti”. Deri në verë, të gjitha hapësirat e përbashkëta, që janë nyjet higjieno-sanitare, sallat e leximit, banjot, fasadat, korridoret, hollet e tyre, do të kenë përfunduar, që pastaj t’i lihet radhë punës nëpër secilën dhomë të ‘Qytetit Studenti”.

Veliaj i siguroi studentët se Kampusi i ri do të jetë një premtim i mbajtur, jo vetëm në kohë, por edhe me cilësi.

“Pas kësaj do të fillojë zbatimi i projektit për Kampusin e ri Universitar. Më vjen mirë që vetëm në pak ditë nga shpallja e Paktit me Universitetin nga Kryeministri, puna vlon në “Qytetin Studenti”. Jam i bindur se Kampusi i ri do të jetë realisht premtim i mbajtur, jo vetëm në kohë, por edhe me cilësi”.

Veliaj tha se pas rikostruksionit të konvikteve, ndërhyrja e radhës do të jetë lirimi i territoreve nga 148 zaptime në ‘Qytetin Studenti’.

Tv Klan