Shpërthimi i një bombole gazi në një pallat në lagjen 14 të qytetit të Korçës i ka kushtuar jetën një 80-vjeçari i cili jetonte i paralizuar në banesën e tij. Godina 3-katëshe ku strehohej i moshuari Thedhoraq Trasha është përfshirë nga flakët pas shpërthimit të fuqishëm të provokuar nga rrjedhja e gazit të një bombole në banesë e një efektivi të policisë së Korçës.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur bashkëshortja e tij ishte duke gatuar në apartamentin në katin e 3. Fatmirësisht personat e ndodhur në kohën e shpërthimit në banesë nuk janë lënduar. Ndërkohë që nga përhapja e zjarrit në godinë i moshuari Theodhoraq Trasha është asfiksuar dhe është dërguar menjëherë  në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Qytetarja 1: “Lajmërova policinë e të tërë po të kishin ardhur që në momentin e parë nuk do kishte plasur zjarri, por erdhën me vonesë.”

Qytetarja 2: “…. shiko tani çfarë më bënë, ja çfarë të bëj unë tani.”

Në spital janë dërguar në gjendje të tronditur disa prej banorëve, të cilët kanë akuzuar zjarrfikësit për mbërritjen me vonesë në vendin e ngjarjes.

Qytetari 1: “Zjarrfikësit erdhën me vonesë, pas një orë e gjysmë edhe që erdhën ishin mbledhur aty te policia e qytetit të Korçës, me bashkiak e tërë dhe asgjë nuk bënin. Vetëm bënin sehir, as se shuanin zjarrin as se bënin.”

Mjek: “Pas aksidentit që ndodhi ka ardhur gjithsej 3 pacientë, të treja janë të seksit femër i kemi në terapi ditore në urgjencë me serume me mjekime, nuk kanë ndonjë lidhje direkt me aksidentin, por janë më shumë nga shqetësimi që iu ka ndodhur djegia e shtëpive.”

Ndërkaq forcat e zjarrfikëses dhe policia kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrin pas rreth 2 orë e 30 minuta nga momenti i shpërthimit. Nga flakët është shkrumbuar krejtësisht kati i 3 i pallatit, ndërkohë që sipas policisë përhapja e zjarrit mund të jetë shkaktuar nga një reaksion zinxhir, i shpërthimit edhe të ndonjë bombole tjetër.

Pas incidentit prefektja e qarkut të Korçës ka shkarkuar nga detyra dy shefat e shërbimit të zjarrfikësve, si dhe përgjegjësin e shtabit të emergjencës. Ndërkohë familjet e dëmtuara do të evakuohen nga pallati pasi  godina është në rrezik shembje./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi