Një skemë mashtrimi me kreditë është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës ku subjektet  Micro Credit Albania ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre ishin subjekt i hetimit.

Gjykata e Tiranës ka caktuar 9 masa sigurie me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës për skemat mashtruese me mikrokreditë për akuzën e “skema mashtruese dhe piramidale”.

Nga 9 masa sigurie në total, 5 prej tyre janë arrest në burg dhe 4 arrest në shtëpi.

1 – “Arrest në burg” për shtetasin Aldo Daka

2 – “Arrest në burg” për shtetasin Albert Gega

3 – “Arrest në burg” për shtetasin Edmond Mato

4 – “Arrest në shtëpi” për shtetasen Kejda Seferi

5 – ‘Arrest në shtëpi’ për Elda Ibro

6 – ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen Jorsida Dervishi

7 – “Arrest në burg” për shtetasin Arben Meskuti

8 – “Arrest me burg” për shtetasin Alban Kote

9 – “Arrest në shtëpi” për shtetasen Alketa Tanushi

Policia e Tiranës ka mundur të arrestojë 8 prej tyre, ndërsa ka shpallur në kërkim Alban Koten.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës nisi pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë më 25 Shkurt 2020 ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Si funksiononte skema mashtruese e Micro Credit Albania?

Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga aktet e administruara rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite.

Me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes. Ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja. Duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Micro Credit Albania aplikonte 10 % kamatë vonesë vjetore

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit. Sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 lekë.

Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Po kështu u provua se shtetasja Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’.

Ndërsa shtetasit A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes. Parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’.

Të gjithë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Historiku i mbikëqyrjes së MCA-së nga Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë, në një histori të shkurtër mbi këtë shoqëri, sqaron të gjithë procesin nga licensimi deri në vendimin për t’i hequr licencën asaj, si pasojë e problemeve të krijuara. Banka thotë se ia hoqi licensën MCA-së duke i pamundësuar kryerjen e aktiviteteve për të cilat ishte licensuar. Por nuk veproi me një vendim formal me qëllim që t’i lejonte asaj shitjen e portofolit dhe për të shmangur problemet sociale.

“Nga momenti i licencimit, subjekti u është nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të Bankës së Shqipërisë. Konkretisht, inspektimeve të vazhdueshme nga jashtë, disa ekzaminimeve të plota dhe të pjesshme, si dhe një monitorimi 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre.

Në ekzaminimin e fundit në dhjetor 2023 u morr një masë mbikëqyrëse më e rëndë. Sipas së cilës subjekti nuk mund të ushtrojë asnjë nga veprimtaritë për të cilën është licencuar. Si: të gjitha format e kredidhënies, blerja e kredive, procesi i trajtimit dhe të ristrukturimit të kredive etj. Po ashtu u lejua vetëm të shiste portofolin që administronte tek subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet.

Pavarësisht se masa më e fundit mbikëqyrëse në fuqi për subjektin MCA e ka vendosur atë në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës, pra duke i pamundësuar kryerjen e çdo aktiviteti për të cilin është licencuar si listuar më sipër, qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për të mos proceduar deri më tani me revokimin formal të licencës, lidhet me kujdesin për të shmangur problemet sociale që do ta shoqëronin këtë vendimmarrje.”

Përse nuk iu revokua licenca Micro Credit Albania ?

BSH sqaron se duke i revokuar licencën, MCA do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë. Nuk do të raportonte më në Regjistrin e Kredive dhe as nuk do të vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë. Duke krijuar kështu situata më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve.

“Konkretisht, edhe në rast se ata do ta paguanin tërësisht detyrimin, ai do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive. Duke ruajtur padrejtësisht një historik joperformues që do t’i penalizonte kredimarrësit”, thuhet në sqarimin e BSH.

Revokimi i licencës, sipas BSH, e bënte po ashtu të pamundur për Bankën e Shqipërisë të trajtojë ankesat e klientëve të MCA-së, pasi kjo e fundit nuk do të mbikëqyrej më nga Banka e Shqipërisë dhe, duke mos pasur detyrim për llogaridhënie do të krijonte situata më të rënda për kredimarrësit.

“Revokimi i licencës do të krijonte edhe pritshmërinë e gabuar të kredimarrësve se nëpërmjet revokimit të licencave të subjekteve kredidhënëse mund të shuhet edhe detyrimi i tyre. Kështu, kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion. Gjë e cila do të risillte rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar. Duke rivendosur në rrezik kursimet e qytetarëve e rrjedhimisht stabilitetin financiar të vendit. Përtej sa më sipër, edhe në rast revokimi formal të licencës, procedurat e ndjekura për ekzekutimin nga shërbimi përmbarimor mbeten të paprekura nga kjo vendimmarrje.

Pasi këto procedura rregullohen nga Kodi i Procedurës Civile dhe ligji për shërbimin përmbarimor. Kjo do të thotë që procesi i ekzekutimit të detyrimeve do të vijojë dhe paralelisht me të edhe problematikat që ky proces mbart. Pikërisht këto problematika, në këtë pjesë të procesit, janë konstatuar nga konsumatorë të ndryshëm gjatë ankesave të depozituara pranë Bankës së Shqipërisë.”

/tvklan.al