Socialistët do të kërkojnë mocion mosbesimi ndaj kryetares së Kuvendit. Një reagim i tillë sipas kryetarit të selisë rozë ka lidhje me mosshqyrtimin ende nga kuvendi të dekreteve të presidentit për 5 emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Rama tha, se Topalli po kërkon të verifikojë pafajësinë e këtyre me një veprim që sipas tij është e tipit policesk e që tejkalon kompetencat e saj.

Edi Rama: “Ka kërkuar nga ministria e Brendshme, ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer jo vetëm çdo kufi të ligjit, por edhe çdo kufi të imagjinatës. Zonja Topalli ka marrë kompetencat e kreu të shtetit dhe ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të 5 njerëzve të ligjit që kushtetuta i mbron nga veprime të tilla policeske. Ne do të vlerësojmë dhe analizojmë me përgjegjshmëri kushtetuese, ligjore peshën e këtij abuzimi skandaloz, pa përjashtuar si hap të mundshëm edhe një mocion për shkarkim të saj.”

Në vijim të deklarimit me nota të ashpra në adresë të kryetares së kuvendit, Rama i kërkoi kryeministrit  Berisha të distancohet nga një veprim i tillë, që për kryesocialistin nënkupton nxitjen e menjëhershme të procedurave për diskutim të dekreteve në kuvend.

Edi Rama: “Miratimi qoftë dhe në heshtje i kryeministrit të vendit për këtë abuzim të skajshëm me detyrën do të ishte shprehja më kuptimplotë e qëllimit për të kapur Gjykatën e Lartë dhe oguri më i keq për vetë reformën në drejtësi.”

Rama i kërkoi gjithashtu ministrisë së Drejtësisë, asaj të Brendshme dhe prokurorisë që të mos ndërmarrin asnjë veprim që bie ndesh me ligjin./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi