Turi i takimeve të kryetarit socialist Edi Rama me rrjetin e vullnetarëve është ndalur në qytetin e Laçit. Në fjalimin e tij kreu i selisë rozë është ndalur në çështjet e mjedisit, ku ka kritikuar ashpër politikat e ndjekura nga qeveria, që përveç se ka ndotur më shumë ambientin, nuk ka bërë asgjë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra.

Edi Rama: “Ne do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët kombëtare dhe nga mbeturinat urbane, që janë bërë kartëvizitat turpëruese të atdheut tonë në sytë e të huajve dhe shembulli më i keq që u japim fëmijëve tanë.”

Duke pohuar se mjedisi është një nga prioritetet e programit të PS, Rama u shpreh se qeveria e ardhshme do të ndjekë një strategji të qartë zhvillimi në këtë sektor.

Edi Rama: “Brenda 4 vjetësh asnjë qese plastike nuk do të hidhet më në Shqipëri, në plazhe, lumenj, rrugët, parqet, oborret publike, të cilat do të jenë çliruar përfundimisht nga makthi i qeseve. Që prej 18 vjetësh janë kthyer në lulen simbol të pushtetit të politikës  së vjetër.”

Kreu i PS ripërsëriti edhe njëherë bindjen se partia që ai drejton do të dalë fituese në zgjedhjet e 28 qershorit, duke e cilësuar këtë si një ndryshim që do të vijë nga gjenerata e re./tvklan.al