Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Me ftesë të homologut të tij Harri Kostov, Ministri i Rendit Luan Rama, ka zhvilluar një vizitë pune në Maqedoni, në pikën e kalimit në Qafë Thanë, Ministri i Rendit dhe delegacioni që e shoqëronte është pritur nga zëvendës ministri shqiptar për Punët e Brendshme të Maqedonisë, Fatmir Dehari.

Struga ka qenë qyteti, ku Rama është ndalur për të zhvilluar disa takime. Qëndrimi i parë është bërë në drejtorinë e policisë së qytetit, ndërsa këtu Rama është pritur edhe nga homologu i tij Kostov. Në delegacionin zyrtar, ministri i rendit shoqërohej nga drejtues të policisë në rrethet kufitare, si dhe nga drejtori i anti-krimit në ministri Sokol Bizhga.

Vetëm pak minuta qëndrim në drejtorinë e policisë dhe më pas delegacioni është postuar në një kafene në dalje të Strugës, ku Rama është pritur për një takim kokë më kokë nga kryetari i BDI Ali Ahmeti. Pas bisedës është rezervuar edhe një deklaratë e shkurtër për mediat.  

Ali Ahmeti:- “Si tërësi bisedën e kemi pasur, lidhur me vazhdën e takimeve që bëhen në nivel të shteteve tona, lidhur me stabilitetin në rajon, lidhur me iniciativat integruese, për shkak se synimi i përbashkët është i të dy shteteve tona, kështu që në frymën e saj ka qenë edhe takimi i sotshëm”.

Gazetarja:- Ju jeni pjesë e koalicionit qeverisës në qeveri, a ka shqetësim për AKSH-në?

Ali Ahmeti:- “Jo fare, nuk kemi shqetësim në këtë drejtim”.

Luan Rama:- “Nuk është jashtë vëmendjes tonë dypalëshe edhe veprimtaria e paligjshme, për të cilën jemi të vendosur të bashkëpunojnë, për ta goditur në mënyrë të vendosur, në të dyja anët e kufirit, në të mirë të interesit të përbashkët”.

Vizita e ministrit shqiptar të Rendit është kërkuar nga homologu Kostov, pas shpërthimit të një eksplozivi në godinën e gjykatës në Strugë. Rama ka parë nga afër ambientet e kësaj gjykate, ndërsa autoritetet maqedonase të rendit, kanë deklaruar se tashmë është arrestuar personi përgjegjës për shpërthimin dhe se motivet e krimit nuk kanë të bëjnë me struktura nacionaliste. Por bisedimet për bashkëpunim zyrtar mes dy homologëve dhe delegacioneve përkatëse, janë realizuar në rezidencën qeveritare në Ohër. Rama-Kosov kanë biseduar kokë më kokë, në një nga vilat e rezidencës, ndërsa më pas, takimi ka vazhduar edhe në prani të delegacioneve.

Pas takimit, një deklaratë për shtyp nga të dy ministrat, ku Kostov është detyruar të sqarojë median e shtypit, se nuk ka fakte apo prova për ekzistencën e një armate shqiptare në Maqedoni. Pyetjeve këmbëngulëse të gazetarëve maqedonas, në lidhje me prezencën dhe veprimtarinë e disa ushtarakëve të Tiranës, në territoret e Republikës Maqedonase, të dy ministrat u janë përgjigjur negativisht.

Harri Kostov:- Për ne tani për tani, nuk ka forca të organizuara të AKSH në Republikën e Maqedonisë. Në informacionet që ne kemi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk kemi të dhëna për përfshirje të policisë dhe armatës, në organizimin e aksioneve të tilla siç ishte në Strugë”.

Luan Rama:- “Në Shqipëri nuk ka asnjë kamp, asnjë strukturë, asnjë grup që të punojë, apo që të stimulojë destabilitet, veprimtari kriminale, apo terroriste, as në Shqipëri dhe as jashtë kufijve të Shqipërisë. Nuk e kemi fshehur asnjëherë, që ka kriminel shqiptarë, maqedonas, serbë dhe detyra jonë është t’i luftojmë ata kudo që gjenden dhe kudo që veprojnë”.

Më gjerë Rama-Kostov kanë diskutuar për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e policisë dhe në mirëkuptimin e përbashkët ndërmjet dy dikastereve. Rama është shprehur për bashkëpunim teknik dhe për të luftuar çdo lloj veprimtarie kriminale në të dyja anët e kufirit. Siguria në rajon do të jetë prioritet në bashkëpunim ndërmjet dy qeverive dhe për këtë pala shqiptare ka shprehur siguri për kontribut konkret.

E ndërsa bisedimet zyrtare kanë përfunduar në rezidencën zyrtare Gorica, ministri shqiptar Rama ka tërhequr homologun e tij Kosov, disa kilometra larg Ohrit, në ish-rezidencën qeveritare në Drilon. Një kafe kortezie, së bashku me Ministrat e Mbrojtjes Majko dhe Buçkovski, të cilët vinin gjithashtu nga bisedime intensive në lidhje me sigurinë dhe bashkëpunimin e strukturave të mbrojtjes, në dy shtete./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj