Kryeministri Rishi Sunak dhe lideri laburist Sir Keir Starmer u përballën “kokë më kokë” në një debat para zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen në 4 korrik.

Udhëheqësit u përplasën për një sërë temash, duke përfshirë taksat, emigracionin, Brexit-in dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ. Në lidhje me emigracionin, një nga shqetësimet kryesore për votuesit britanikë, Sunak hodhi poshtë argumentin e Starmer se ai do të kërkonte të kthente emigrantët në vendet e tyre të origjinës, duke thënë se shumë prej tyre kishin mbërritur në Britani nga Irani, Siria dhe Afganistani.

“A e dini se nga vijnë këta njerëz?” Irani, Siria, Afganistani. Pra, kur Keir Starmer thotë se do të kthejë njerëzit, a do të ulet me ajatollahët iranianë? A do të përpiqesh të bësh një marrëveshje me talebanët? Është Krejt e pakuptimtë kjo që po thoni, ju po i merrni njerëzit për budallenj. Ne duhet t’ua bëjmë të qartë njerëzve se nëse vijnë në vendin tonë ilegalisht, nuk do të mund të qëndrojnë. Më 5 korrik avionët do të shkojnë në Ruanda.”

Starmer argumentoi se vendi është përfshirë nga kaosi, teksa familjet përballen me inflacion në rritje dhe krizë të kostos së jetesës.

“Mendoj se gjatë 14 viteve të fundit, politikanët nuk po mendojnë për njerëzit dhe deputetët mendojnë se çfarë mund të marrin për veten e tyre. Dhe një nga gjërat që do të doja të bëja nëse do të zgjidhem kryeministër është të rivendos politikën në mënyrë që të kthehet në shërbimin publik.”

Sunak po përballet me një skandal bastesh pasi pesë zyrtarë të partisë së tij, përfshirë dy kandidatë, u hetuan për vendosje bastesh në kohën e zgjedhjeve të parakohshme. Starmer është përballur gjithashtu me kritika në ngjarje publike, duke u akuzuar nga votuesit se nuk ka dhënë informacion të mjaftueshëm se si do të financonte përmirësimet shumë të nevojshme për shërbimet publike.

Me sondazhet që tregojnë për një fitore të Laburistëve debati mund të ketë qenë shansi i fundit i Sunak për të treguar sesa do t’i përmbahet premtimeve të bëra para votuesve.

Klan News