Ashtu siç premtoi Vladimir Putin se do të hakmerret për lejet që aleatët perëndimorë po u japin ukrainasve për të përdorur armët e tyre me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin rus, edhe Moska ka nisur të tregojë muskujt pranë territorit të Shteteve të Bashkuara.

Këtë javë në portin e Havanës ka mbërritur një flotë ruse e përbërë nga mjete lundruese që kanë kapacitet të mbajnë raketahedhës me rreze të gjatë veprimi. Kryesorja është Fregata Admiral Gorshkov e pajisur me raketat më të fuqishme ruse Zirkon që lëvizin me një shpejtësi që tejkalon 9 herë shpejtësinë e zërit, që mund të godasë deri 1 mijë kilometra.

Kjo anije mban edhe raketa Kalibr dhe Obiks, me rreze të njëjtë veprimi, por me fuqi goditëse më të ulët. Këto raketa i mban edhe nëndetësja bërthamore Kazan, pjesë e flotës që ka në përbërje edhe anijet ndihmëse Pashin dhe Nikolai Chiker.

Uashingtoni është përpjekur të mos i japë rëndësi kësaj lëvizjeje të Moskës, duke shfrytëzuar faktin që flotat ushtarake ruse zhvillojnë vizita rutinë në aleatin e tyre që nga periudha sovjetike. Mbërritja e flotës ruse ka krijuar radhë të gjata në portin e Havanës të kubanëve që duan t’i shohin nga afër.

Tv Klan