Tatimet: Janë pjesë e paketës së zgjeruar, nisin së shpejti aplikimet

Tregtarët e tregut industrial në Durrës kërkojnë që të përfitojnë pagën e luftës. Ata thonë se edhe pse janë biznes i vogël dhe nuk janë të lejuar të ushtrojnë aktivitetin që prej 9 Marsit, aplikimi për pagë është refuzuar nga autoritetet tatimore.

Tregtarët thonë se kanë bërë aplikimin sipas udhëzimeve të qeverisë, ndërsa shprehen se tregtia që kryenin ishte i vetmi burim financiar për të mbajtur familjet e tyre. Në Durrës operojnë dy tregje me rreth 1 mijë tregtar të licencuar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se paketa e zgjeruar financiare do t’i japë ndihmë edhe kësaj kategorie që janë biznes i vogël, por rezultojnë me nipt dhe ekstrakt të aktiviteteve që lejohen, por që aktualisht nuk punojnë. Raste të tilla janë të shumta. Tatimet thonë se shumë shpejt do të nisë aplikimi për dhënien e ndihmës financiare për këtë shtresë.

“Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare sipas paketës nr.2 do të kryhet online, nëpërmjet e-filing, në tatime.gov.al, me anë të një formulari të posaçëm, për plotësimin e të cilit po merren të githa masat e nevojshme që të jetë sa më i thjeshtë, dhe ndërkohë edhe verifikimi i të dhënave dhe kritereve të kryhet me procese të cilat kërkojnë kohë të shkurtër për miratim”.

Tatimet thonë që bizneset të lexojnë udhëzimet se për cilën paketë janë përfitues në mënyrë që të mos plotësojnë shumë formularë dhe të krijojnë fluks për kthimin e përgjigjes dhe shpejtësinë e hedhjes së pagës.

Tv Klan