Dajti ishte ndalesa e radhës e turit të falenderimeve që kryebashkiaku Erion Veliaj ka ndërmarrë në bazën socialiste, në cilësinë e drejtuesit politik për qarkun e Tiranës. Në fjalën e tij ai theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë që e ka afruar Shqipërinë me Perëndimin.

“Koha ka treguar se PS është familja më patriotike, më progresiste, më e vendosur për të afruar Shqipërinë me perëndimin, se çdo forcë politike në 113 vite shtet. Sot jam vërtet krenar që e kemi kthyer Tiranën një kryeqendër të Ballkanit”.

Ai theksoi se edhe për të nxjerrë fytyrën e vërtetë të drejtuesve të opozitës është meritë e socialistëve

“Sot po shikojmë se si Sali Berisha është reduktuar në një dritare te rruga “Mustafa Matohiti”. Sot po shikojmë se si Ilir Meta është reduktuar në një vare argëtuese, që shëtit nëpër Shqipëri.  Sot është gallatë me pa Ilirin dhe Saliun në atë derexhe, por që të vinim te kjo ditë, që të qeshim dhe të argëtohemi me mënyrën si kanë degjeneruar ato figura politike, u desh mundi dhe djersa e atyre që e mbajtën 33 vjet forcën tonë si forcë serioze, që bën shtet dhe qytet”.

Veliaj theksoi se falë qeverisjes së socialistëve sot Tirana dhe Shqipëria po përjetojnë ditët më të mira.

Tv Klan