Kjo është ajo çfarë mbeti pas zjarrit të djeshëm në tregun e rrobave të përdorura në Shkodër në lagjen Qafëhardhi; banesa të djegura, mallra të shkruambuara e llamarina të hedhura pirg.

Zjarri i rënë ka shkrumbuar gjithçka, duke djegur 80 njësi tregtare dhe 5 shtëpi banimi. Ndërkohë tregtarët kërkojnë ndihmën e shtetit që t’i ndihmojë për të dalë nga kjo situatë.

Tregtarja: Aman mor. Ne jemi në rregull me çdo gjë, çfarë na kanë kërkuar, i kemi paguar. Kemi miliona, kemi shpirtin, kemi zemrën, çdo gjë e kemi këtu. Po shqyqr i madh Zoti që kemi shpëtuar me kokë. Shteti të mendojë për ne se e kemi bukën e gojës, një ditë pa punë këtu, një ditë pa bukë. Kemi familje, kemi njerëz të sëmurë nëpër shtëpia. Ne jemi të gjithë nevojtarë, jemi shtresë më e lodhur e shoqërisë. I kemi me djersë e me gjakun e shpirtin tonë, ju lutem vini dorën në zemër për këto familje këtu. Jam komplet e shokuar, nuk di çfarë të them. Jemi të gjitha me halle e probleme.

Zjarri i rënë pasditën e të premtes konsiderohet më i madhi në 20 vite. Për shuarjen vatrës së zjarrit u angazhuan mbi 100 zjarrëfikës me 21 mjete të repartit të Shkodrës, nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.

Në ndihmë të tyre erdhi edhe një helikopter i ushtrisë, si dhe forca të policisë së rendit, asaj bashkiake dhe të ushtrisë.

Tv Klan