Në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u zhvillua balloja Grand Gala e fundvitit, e cila mblodhi për të festuar jo vetëm artistë, por edhe politikanë, diplomatë e njerëz të medias.

Mbrëmja u drejtua nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko si dhe Hygerta Sako. Ndërsa të parët që kanë hipur në skenën e teatrit të Operas dhe Baletit ishin trupa e Gardës së Republikës me Marshin e Pashait për të vijuar më tej me Marshi i Fillimit, Marshi Persian, si dhe opereta “Lakuriqi i Natës”.

Përpos kërcimit mbrëmja ofroi momente kulmore nën interpretimin e sopranos Orjana Kurteshi, mexosopranos Vikena Kamenica, basbaritonit Sidrit Bejleri.

Po ashtu edhe solistët e baletit Enada Hoxha, Gerti Vaso apo Albi Nako kanë performuar në këtë natë. Nën ritmet e valseve të Shtraus, si dhe klasikëve të mëdhenj botëror Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka festuar kështu ndërrimin e viteve sëbashku me publikun. Tashmë u bënë vite që viti i ri të festohet sipas traditës së famshme vieneze, ku orkestra simfonike interpreton valse të njohura të cilat jo vetëm shijohen përmes dëgjimit, por edhe mund të kërcehen.

Ky është viti i 6 që në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit  zhvillohet një mbrëmje e tillë./tvklan.al

Gazetare Brunilda Cami

Operator: Klevis Çaka