Censi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur ditën e sotme dhe do të zgjasë për 6 javë, ku mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë do të jenë në terren.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, në një konferencë për mediat thotë se procesi po vijon normalisht dhe sipas pritshmërive.

Gjatë fjalës së saj, Dhuli u shpreh se pyetësori i INSTAT është i detyrueshëm dhe nëse nuk realizohet, do të ketë penalitete për të gjithë familjen.

Elsa Dhuli: Ky është një proces i një rëndësie të veçantë për vendin. Deri tani, procesi po shkon mirë. Janë regjistruar në aplikacion pjesa më e madhe e anketuesve. Janë në proces intervistimi 1 mijë e 500 intervista, prej të cilave janë përfunduar rreth 800 pyetësorë. Procesi po shkon sipas pritshmërive. Intervistat do të vazhdojnë edhe pasdite për të mundësuar kontaktimin me qytetarët, të cilët gjatë paradites kanë qenë të angazhuar me punë. Theksojmë se ky aktivitet do të zgjasë 6 javë. INSTAT në mënyrë të vazhdueshme do të japë informacion mbi ecurinë e këtij aktiviteti.

Pyetje: Në rastin kur familja nuk ndodhet në shtëpi në momentin që anketuesi shkon, por edhe nuk paraqitet në qendrat e INSTAT për të plotësuar të dhënat, çfarë vendoset?

Elsa Dhuli: Pas të gjitha përpjekjeve që stafi i terrenit do të bëjnë për të ndërgjegjësuar qytetarët për t’i dhënë përgjigje pyetësorit në formatin elektronik, do të bëjmë me dije edhe pjesën tjetër, që aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe Banesave, është një aktivitet i cili mbështetet mbi një bazë ligjore. Është i detyrueshëm përgjigjia e pyetësorit, për pyetje, të cilat janë konsideruar të detyrueshme, patjetër ka edhe penalitete konform ligjit.

Pyetje: Për të gjithë familje ka penalitete apo vetëm për kryefamiljarin?

Elsa Dhuli: Po, për familjen./tvklan.al