Komisioni i Disiplinës dhe Etikës (KDE) në Federatën Shqiptare të Futbolli ka dënuar me 4 ndeshje pa spektatorë dhe një gjobë prej 300 mijë lekësh skuadrën e Laçit. Vendimi ka ardhur pasi tifozët kurbinas goditën një prej futbollistëve të Partizanit, në ndeshjen që u luajt mes dy skuadrave për javën e pestë të Superligës. I dënuar me 4 ndeshje pezullim nga aktivitetet sportive është edhe Presidenti i Laçit, Pashk Laska.

“Zyrtari i KF Laçi, Pashk Laska, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit”, njoftoi KDE.

KDE ka urdhëruar Laçin që të dërgojë për miratim listën e zyrtarëve të cilët do të qëndrojnë në tribunë tek delegati i ndeshjes, të paktën 48 orë para fillimit të çdo ndeshje deri në përfundim të dënimit.

Kujtojmë se Partizani denoncoi rastet e dhunës pas ndeshjes, ku pretenduan se goditjet ndaj tyre erdhën nga tribuna VIP e stadiumit të Laçit. Ndeshja mes Laçit dhe Partizanit përfundoi me rezultatin 1-1.

Një zyrtar i skuadrës së Partizanit gjatë ndeshjes me Laçin
Një zyrtar i skuadrës së Partizanit gjatë ndeshjes me Laçin

Ndëshkime edhe për Tiranën e Elbasanin

Gjobave nuk u kanë shpëtuar as Tirana dhe Elbasani. Në ndeshjen e luajtur në “Air Albania” të dy tifozeritë hodhën sende në fushën e lojës si dhe ndezën flakadanë e mjete të tjera piroteknike.

Për bardheblutë një gjobë prej 100 mijë Lekësh, ndërsa për verdheblutë një gjobë prej 400 mijë Lekësh pasi në dënimin e tyre thuhet se kanë përdorur edhe kore e mesazhe fyese. Po ashtu, të dyja skuadrat urdhërohen të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në stadium.

Edison Kola, mbrojtës i Tiranës duke festuar pasi shënoi ndaj Elbasanit
Edison Kola, mbrojtës i Tiranës duke festuar pasi shënoi ndaj Elbasanit

Nuk shpëton as Kategoria e Parë

Dënime edhe për skuadrat në Kategorinë e Parë. Burreli është paralajmëruar për gjobë nëse herës tjetër shkakton sërish vonesa në nisjen e ndeshjes.

Gjobës nuk i ka shpëtuar Kukësi që nuk ka respektuar rregullat e aktivitetit duke nisur me vonesë ndeshjen dhe për sjellje të gabuar të tifozëve.

Ndërkohë zyrtari i Pogradecit, Anesti Lipo është pezulluar me katër ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes pas përfundimit të sfidës./tvklan.al