Holanda u eliminua nga Euro 2024 dhe kjo nuk i ka shkuar për shtat trajnerit Ronald Koeman. Ai ka kritikuar përdorimin e VAR-it se “prishi futbollin” pasi i dha Anglisë një penallti të dyshimtë në ndeshjen gjysmëfinale.

“Tulipanët” kishin kaluar në avantazh me goditjen e Xavi Simons, por shpëtimi për anglezët do të vinte kur Dumfries preku në këmbë Kane pasi ky i fundit e kishte goditur topin mbi traversë.

Fillimisht nuk u dha penallti, por më vonë arbitri Felix Zwayer ndërhyri pasi iu kërkua nga VAR. Nga pika e bardhë e 11-metërshit, sulmuesi Kane nuk gaboi.

“Sipas mendimit tim nuk duhej të jepej penallti. Ai e goditi topin dhe u prekën atletet. Mendoj se nuk mund të luajmë tamam futboll dhe kjo për shkak të VAR-it. Ka prishur futbollin me të vërtetë”, tha ai.

Edhe ish-mbrojtësi anglez Gary Neville tha se Holanda ka çdo të drejtë të ndihet e pakënaqur.

“Si mbrojtës mendoj se është një vendim shumë i turpshëm. Nuk ka asnjë shans që ajo të jetë penallti”, tha ai./tvklan.al