Pjesëmarrja në kampionatin Europian e kombëtares shqiptare solli të ardhura të konsiderueshme për arkat e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Bashkë me bonusin e kualifikimit në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental, kombëtarja jonë arriti të marrë edhe atë të një rezultati pozitiv në fazën e grupeve. Kështu, FSHF mori 9.25 milionë euro për arritjen e një vendi në Euro 2024.

Fitorja në grupe në këtë Kampionat Evropian vlente 1 milion euro, ndërsa barazimi kap vlerën e gjysmë milioni euro.

Shqipëria barazoi një here, atë 2-2 ndaj Kroacisë. Në total, pra FSHF arkëtoi 500 mijë euro shtesë. Nëse kësaj i shtojmë edhe shumën e kalimit në grupe, atëherë në arkat e FSHF-së shkuan gjithsej 9 milionë e 750 mijë euro.

Për ekipet në garë, kualifikimi në raundin tjetër kap vlerën e 1.5 milionë eurove. Çerekfinalja sjell edhe 2.5 milionë euro, ndërsa gjysmëfinalja 4 milionë euro. Humbësi në finale merr 5 milionë euro, ndërsa kampioni i Europës përfiton 8 milionë euro. Fituesi i Euro 2024 mund të arkëtojë rreth 28 milionë euro.

Klan News