Shërbim prove për Pandeli Kokaveshin

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, për akuzat për korrupsion zgjedhor. Ndërkohë Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit u  dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u konvertua në 3 vite shërbim prove.

Trupa gjykuese që dha vendimin përbëhej nga gjykatësit Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj.

Avokati i Fredi Belerit, Geni Gjyzari deklaroi para ambienteve të SPAK se vendimi i marrë nga Gjykata është politik dhe me “porosi të kryeministrit Rama”.

“E padëgjuar të ndërpritet fjala e të pandehurit, është vendim e dënim politik. Siç e porositi kryeministri, ashtu veproi dhe kjo gjykatë”, tha ndër të tjera ai (Lexo më shumë).

Gazetarja Glidona Daci bëri me dije se Belerit do t’i përllogaritet edhe qëndrimi në paraburgim ku qëndron prej 10 muajsh. Në rast se avokatët bëjnë ankim në Apel, Fredi Belerit mund t’i ngelen rreth 3 deri në 4 muaj për të qëndruar në qeli dhe pastaj të lirohet.

Burgimin ai do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Sendet e sekuestruara, pra celularët e Belerit dhe Kokaveshit, do të konfiskohen dhe do të kalojnë në favor të shtetit. Edhe shpenzimet gjyqësore iu janë ngarkuar personave të cilësuar fajtorë nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit kanë qenë mbështetës të Fredi Belerit, të cilët sipas gazetares Daci, kanë mbetur të zhgënjyer.

Fredi Beleri në sallë të gjyqit, foto arkiv
Fredi Beleri në sallë të gjyqit, foto arkiv

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e Fredi Belerit me 2 vite e 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit zgjedhor. SPAK pretendoi se me anë të përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale të kryera ndaj Belerit dhe bashkëpunëtorëve të tij para zgjedhjeve të 14 Majit, si dhe dëshmisë së një personi që zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë, ka konfirmuar se Beleri dhe shtabi i tij elektoral kanë dhënë para gjatë fushatës elektorale për të siguruar vota.

Nga ana tjetër avokatët e Belerit i konsideruan përgjimet e kryera fillimisht nga Prokuroria e Vlorës si të paligjshme, duke bërë nul të gjitha provat e grumbulluara me anë të këtyre përgjimeve. Ata po ashtu pretenduan se edhe këqyrja e bërë telefonave që iu sekuestruan të pandehurve në këtë proces, është bërë në mënyrë të paligjshme, duke kërkuar kështu që këto prova të mos merren të mirëqena dhe duke kërkuar pafajësi.

Çfarë ndodhi në seancën e fundit

Gjatë seancës gjyqësore pati tensione mes kryesuesit të seancës, Erjon Çela, avokatit Geni Gjyzari dhe Fredi Belerit. Gjyqtari Çela i kërkoi Belerit të ndërpresë akuzat dhe sulmet politike në drejtim të trupës gjykuese, por të qëndrojë tek çështja penale që e akuzon SPAK, të ngrejë pretendimet e tij mbi faktet dhe provat për çështjen në fjalë dhe të mos anatemojë në drejtim të trupës gjykuese. Sipas tij të gjitha vendimmarrjet e marra nga kjo trupë mund të ankimohen në një shkallë më të lartë gjyqësore.   

Kjo ka sjellë acarimin mes gjyqtarit dhe avokatit Gjyzari, i cili kërkoi të respektohet dhe të mos ndërpritet Beleri në fjalën e tij, por t’i jepet e drejta për të shpjeguar të mbrojtjen e tij.

Gjatë fjalës së tij, Beleri relatoi një sërë pretendimesh duke theksuar se mbahej në burg padrejtësisht sepse sipas tij edhe kryebashkiakë të tjerë që akuzohen për të njëjtën vepër penale janë duke u hetuar në gjendje të lirë nga SPAK. Ai pretendoi se është cënuar parimi i një procesi të rregullt gjyqësor, prezumimi i pafajësisë dhe po ashtu, po diskriminohet. Beleri i kërkoi trupës gjykuese të jetë e ndarë nga politika.

“Unë kërkoj drejtësi, më është cënuar e drejta për një proces të rregullt ligjor”, mësohet të ketë thënë Beleri, sipas të cilit i është cënuar prezumimi i pafajësisë (Lexo më shumë).

“Prokuroria ka sajuar prova për të fshehur gabimet e policisë. Nga vëzhgimi 24 orësh që më është bërë, ka rezultuar se nuk jam takuar asnjëherë me dëshmitarin e prokurorisë. Të gjitha të vërtetat do të dalin në dritë. Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, të procesit të rregullt ligjor dhe të barazisë para ligjit. Vendimi për dënimin tim është marrë në Drejtorinë e Policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendim politik ishte edhe moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me  2 vjet e 6 muaj burg është diskriminues. Të tjerë kryetarë bashkish të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë”, tha ai.

Momenti i arrestimit të Fredi Belerit

Arrestimi i Fredi Belerit

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 2023-shit në Himarë, u arrestua më 12 Maj, 2 ditë para se të mbaheshin votimet (Lexo më shumë).

Arrestimi u krye pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, Beleri është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës (Lexo më shumë).

Pas vënies në pranga të tij, ka pasur reagime nga Athina zyrtare. Çështja ndaj Belerit dhe insistimi i Greqisë që ai të lejohej të betohej si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, që nuk u pranua nga gjykata, shkaktoi bllokime për Shqipërinë për çeljen e kapitujve në Bruksel (Lexo më shumë). Ndërkohë, pala shqiptare është shprehur se Beleri po gjykohet nga drejtësia e pavarur shqiptare dhe qeveria Rama do të ruajë distancën duke mos ndërhyrë në këtë çështje (Lexo më shumë).

Kush është Fredi Beleri

Fredi Beleri ka lindur në Himarë në vitin 1972. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Në jetëshkrimin e tij, Beleri thotë se në Greqi ka pasur një biznes hidraulikesh për 20 vjet, ndërsa sot aktivizohet në fushën e turizmit në Himarë. Aktivitetin politik thotë se e ka nisur në vitin 1992 kur u zgjodh si anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës së Himariotëve, shoqatë ku më pas ka mbajtur edhe rolin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetarit. Që prej vitit 2009 ai është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Omonias.

Por Beleri ka edhe një histori të gjatë me drejtësinë në Shqipëri. Ai është dënuar për nxitje dhe urrejtje nacionale dhe është hetuar si i përfshirë në “Masakrën e Peshkëpisë”. Beleri kishte tentuar edhe më herët që të garonte për Bashkinë e Himarës, më 2015-ën, por nuk e arriti të fitonte duke kandiduar nën siglën e PBDNJ-së. Në 2023-shin, ai u konfirmua si kandidat i opozitës për Himarën pas marrëveshjes Berisha-Dule.

Sa i përket dënimit, Beleri rezulton se në vitin 2003 nga Gjykata e Vlorës ka marrë 3 vite burg për nxitje dhe urrejtje nacionale. Sa i përket “Masakrës së Peshkëpisë”, dosja është rihapur disa herë, por pa sukses. Më së fundmi ajo u rihap në vitin 2019 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por u pushua më pas nga SPAK. Kujtojmë se Masakra e Peshkëpisë ndodhi më 10 Prill 1994, ku posta kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u sulmua nga disa agresorë grekë duke vrarë ushtarin Arsen Gjini dhe komandatin Fatmir Shehu, duke plagosur efektivë të tjerë dhe në fund grabitën armatimet në tërheqje e sipër./tvklan.al