Zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca e fundit për çështjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi. Në këto momente, trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin përfundimtar për ta.

Gazetarja Glidona Daci raporton se gjatë seancës pati tensione mes kryesuesit të seancës, Erjon Çela, avokatit Geni Gjyzari dhe Fredi Belerit. Gjyqtari Çela i kërkoi Belerit të ndërpresë akuzat dhe sulmet politike në drejtim të trupës gjykuese, por të qëndrojë tek çështja penale që e akuzon SPAK, të ngrejë pretendimet e tij mbi faktet dhe provat mbi çështjen në fjalë dhe të mos anatemojë në drejtim të trupës gjykuese. Sipas tij të gjitha vendimmarrjet e marra nga kjo trupë mund të ankimohen në një shkallë më të lartë gjyqësore.   

Kjo ka sjellë acarimin mes gjyqtarit dhe avokatit Gjyzari, i cili kërkoi të respektohet dhe të mos ndërpritet Beleri në fjalën e tij, por të jepet e drejta për të shpjeguar mekanizmin e tij të mbrojtjes. Ky ishte edhe konsistimi i gjyqtarit, që Beleri të japë qëndrimin mbi akuzën e SPAK dhe të mos ndalet në akuza ndaj trupës gjykuese.

Gjatë fjalës së tij, Beleri relatoi një sërë pretendimesh duke theksuar se mbahej në burg padrejtësisht nga ana e drejtësisë sepse  sipas tij edhe kryebashkiakë të tjerë që akuzohen për të njëjtën vepër penale janë duke u hetuar në gjendje të lirë nga SPAK. Ai pretendon se është cënuar parimi i një procesi të rregullt gjyqësor, prezumimi i pafajësisë dhe po ashtu, po diskriminohet. Beleri i kërkoi trupës gjykuese të jetë e ndarë nga politika pasi procesi i tij është i lidhur me politikën.

“Unë kërkoj drejtësi, më është cënuar e drejta për një proces të rregullt ligjor”, mësohet të ketë thënë Beleri, sipas të cilit i është cënuar prezumimi i pafajësisë.

“Prokuroria ka sajuar prova për të fshehur gabimet e policisë. Nga vëzhgimi 24 orësh që më është bërë, ka rezultuar se nuk jam takuar asnjëherë me dëshmitarin e prokurorisë. Të gjitha të vërtetat do të dalin në dritë. Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, të procesit të rregullt ligjor dhe të barazisë para ligjit. Vendimi për dënimin tim është marrë në Drejtorinë e policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendim politik ishte edhe moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me  2 vjet e 6 muaj burg është diskriminues. Të tjerë kryetarë bashkish të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë”, tha ai.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e Fredi Belerit me 2 vite e 6 muaj burg, për akuzën e korrupsionit zgjedhor. SPAK pretendon se me anë të përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale të kryera ndaj Belerit dhe bashkëpunëtorëve të tij para zgjedhjeve të 14 Majit, si dhe dëshmisë së një personi që zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë, ka konfirmuar se Beleri dhe shtabi i tij elektoral kanë dhënë para gjatë fushatës elektorale për të siguruar vota.

Nga ana tjetër avokatët e Belerit i kanë konsideruar përgjimet e kryera fillimisht nga prokuroria e Vlorës si të paligjshme, duke bërë nul të gjitha provat e grumbulluara me anë të këtyre përgjimeve. Ata po ashtu pretendojnë se edhe këqyrja e bërë telefonave që iu sekuestruan të pandehurve në këtë proces, është bërë në mënyrë të paligjshme, duke kërkuar kështu që këto prova të mos merren të mirëqena dhe duke kërkuar pafajësi./tvklan.al