Një qenushe me gjashtë këmbë që u gjet e braktisur në hyrjen e një dyqani shtatorin e kaluar, ka një shtëpi të re.

E quajtur Ariel, si “Sirena e Vogël” e Disney-t, qenushja ishte vetëm 11-javëshe kur u mor nën kujdesin e një qendre lokale për kafshët në Haverfordwest, Uells.

Veç gjashtë këmbëve, qenushja ka dy vulva dhe një veshkë. Pronari i saj i ri, Ollie Bird tha për Skye News se ai dhe familja e tij ishin “ndoshta të vetmit persona në Uells” që nuk e kishin dëgjuar historinë e saj kur vendosën ta adoptonin.

Ariel u bë pjesë e familjes kur ata po vajtonin për qenin e tyre të ngordhur.

“Kishim një qen 16-vjeçar që e gjetëm para 13 vjetësh duke u endur në plazhin tonë. Fatkeqësisht, ai ngordhi papritur”.

Por Ariel është përshtatur shumë mirë me ta. “Ajo vjen me ne kudo. Mund të ecë shumë mirë. Duhet të pushojë herë pas here, por nëse shëtisim, e marr në një çantë ose ndaloj shpesh. Ajo noton, bën sporte uji  dhe sillet shumë mirë me fëmijët dhe familjet. Është shumë e butë, i pëlqen të rrijë ulur dhe të shohë”, përshkroi Bird.

Ai shtoi se për 48 orë, nuk mendonin të merrnin një qen tjetër por vendosën ta bënin sepse u dukej shtëpia bosh pa një të tillë. Më pas, kontaktuan me qendrën dhe adoptuan Ariel.

Ariel arriti të bënte bashkë shumë njerëz pasi kur doli lajmi për historinë e saj të braktisjes, u mblodhën mbi 15 mijë paund./tvklan.al