Nëse UEFA vendosi Andrej Kramaric si lojtarin e ndeshjes, heroi i Shqipërisë ishte Klaus Gjasula. Mesfushori me tipare mbrojtëse i përjetoi të gjitha në barazimin dramatik me Kroacinë, nga autogoli që solli dizavantazhin, te goli që shpëtoi kuqezinjtë nga humbja dhe që ishte i pari për Gjasulën me Kombëtaren.

Klausi u tregua luftarak për minutat që ishte në fushë, duke u përpjekur të ndalë kundërshtarët, madje duke marrë edhe të verdhë për ndërhyrjen ndaj Modric. 34-vjeçari me një karrierë të tërë në Gjermani, ku spikat aktivizimi me Hamburgun, u tregua i përulur në deklaratën e tij pas ndeshjes.

“Disa situata që nuk i bëra shumë mire, ose nuk i bëra mirë fare. Pastaj deshi Zoti që ma dha edhe këtë shansin për të shënuar këtë golin.”

Goditja e Klausit me të majtën në minutën e pestë shtesë trullosi Kroacinë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën e 1/8. Gjasula u bë kështu lojtari zëvendësues, i cili shënon golin më të vonë të barazimit në finalet e një Europiani, 94 minuta e 23 sekonda.

Një tjetër rekord ky pas atij të Nedim Bajramit për golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Europian, pas vetëm 23 sekondash.

Tv Klan