Kryetari i PS ishte në Poliçan në qendrën e rehabilitimit të fëmijëve të ngujuar. Ai bashkëbisedoi me fëmijët e kësaj qendre, mes tyre edhe fëmijë të policëve të vrarë në krye të detyrës. Gjithashtu viktima të fenomenit të gjakmarrjes.

Edi Rama: “Babai i juaj është një hero dhe ju duhet të jeni shumë krenarë për babain tuaj. Dhe shteti për të cilin babai juaj është sakrifikuar duhet dhe do t’iu vijë ju në ndihmë që ju të shkolloheni dhe te rriteni normalisht.”

Rama tha se gjakmarrja është një problem kombëtar dhe si i tillë kërkon një zgjidhje kombëtare. Kreu i selisë rozë u shpreh kritik mbi rolin që po luan shteti në këtë drejtim, duke mos marrë përgjegjësinë e duhur e duke e shndërruar çështjen në një ping-pong institucional.

Edi Rama: “Unë nuk erdha këtu për të bërë politikë. Erdha këtu sepse në pozicionin që kam e ndjej detyrë që të bëj gjithçka mundem dhe e ndjej krejtësisht të mundshme që, ajo për të cilën kanë nevojë këta të bëhet. Këta nuk janë të internuar të kohës vjetër, që duhet të vuajnë. Këta nuk janë as të burgosur për shkak të fajit tyre.”

Kryetari i PS garantoi se me ardhjen në pushtet  forca politike që drejton do t’i japë zgjidhje problemit të gjakmarrjes./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi