Te Real Madridi po mendojnë për zëvendësuesin e Toni Kroos. Mesfushori gjerman lajmëroi se ai do të largohet nga ‘galaktikët’ në fund të sezonit. Los Blancos nuk do të kenë në organikë në vazhdim një nga lojtarët më të fortë në mesfushë, që i ka ndihmuar ata të fitojnë beteja të mëdha.

Gjermani është dalluar për ekuilibrin që ka dhënë gjatë lojës, por edhe për cilësinë dhe vizionin në fushë. Kroos ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin europian, duke u kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti, që tashmë duhet të gjejë një zëvendësues që i përshtatet.

Dy emra po shqyrtohen nga drejtuesit madrilenë. Pëlqehet shumë gjermani Joshua Kimmich, i cili po ashtu mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë, si edhe spanjolli i Manchester City-t, Rodri.

Të parit i mbaron kontrata me Bajern Mynihun në verën e 2025-ës. Bavarezët e lënë të lirë nëse në arkat e klubit derdhen rreth 70 mln euro.

Ndësa Rodri te Citysens konsiderohet i paprekshënm. Bashkë me Haland dhe Foden ai është një nga shtyllat e ekipit. Edhe pse Los Blancos e dëshirojnë, vështirë që mesfushori spanjoll të pranojë të ulë rrogën për t’u transferuar në Madrid.

Klan News