Miliona të investuara nga skuadra e qytetit me 40 mijë banorë

Duhet edhe një ndeshje që Serie A të mbyllë vitin 2020. Nëse renditje janë emrat e përhershëm të skuadrave që pretendojnë trofetë apo pozicionet europiane. Veç njërës. Ajo është skuadra e Sassuolos që gjendet vërtetë në vendin e 6, por 1 pikë larg vendit të 4.

Skuadra mban emrin e qytetit me 40 mijë banorë në Emilia Romagna, por konsiderohet si fenomeni i kampionatit dhe kjo, jo vetëm për renditjen. Ka disa sezone që klubi zotërohet nga kompania e produkteve të ndërtimit MAPEI, që sponsorizon 23 milionë euro.

Investimet serioze dhe të matura e kanë bërë Sassuolon një nga klubet me bilancin ekonomik më të qëndrueshëm vitet e fundit. 29 lojtarë në total në përbërje me 11 prej tyre që janë pjesë përbërëse të ekipeve kombëtare.

Vlera totale e lojtarëve arrin në 202 mln euro shumë më pak se skuadrat e tjera që janë pranë në renditje.

Në 8 vitet e fundit në Serie A, Sassuolo ka qenë një skuadër modeste, hapat i ka bërë të ngadaltë dhe me konsolidimin financiar priten edhe ndryshimet në rezultatet sportive.

Programimi, struktura dhe organizimi janë njëlloj si të klubeve të mëdha italiane. Lojtarët janë përzgjedhur me analiza të hollësishme të zbuluesve të talenteve.

Me mbërritjen në drejtimin e ekipit të trajnerit De Zerbi, Sassuolo ka arritur pjekurinë, duke ia dalë që të mbajë lojtarë të tillë si Berardi, Boga, Locatelli, që sot bëjnë diferencën si për vlerën në merkato ashtu edhe në fushën e lojës.

Me fillimin e 2021 gjërat do të vështirësohen, por të paktën deri tani Sassuolo ka marrë rezultate të mira me skuadrat e vogla duke treguar se suksesi arrihet duke vlerësuar çdo kundërshtar.

Tv Klan