“Yjet nën yje”, në Teatrin “Migjeni” ka rikthyer emocionet e muzikës dhe humorit si dikur në kafe të madhe.

Një nisëm e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës që ka kthyer në skenë të madhe sheshin para teatrit “Migjeni” ndërkohë që nuk ka munguar edhe videomapping në fasadën e teatrit të Shkodrës me imazhet e artistëve që kanë bërë epokë në artin shqiptar e që sot nuk jetojnë më.

Në skenë janë ngjitur emrat e mëdhenj të muzikës dhe humorit, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Edmond Halili dhe Drande Xhaj,  e gërshetuar edhe me emrat e rinj të skenës, Jozefina Simoni, Akil Vorfi dhe Tan Brahim.

Të pranishëm përveç publikut që kishte mbushur sheshin para teatrit “Migjeni”, kanë qenë edhe kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe drejtues vendorë.

Për më shumë se 2 orë, sheshi para teatrit Migjeni është kthyer në një skenë të madhe arti, ku së bashku me këngëtarët kanë kënduar edhe spektatorët e shumtë.

Dy emrat e mëdhenj të muzikës shkodrane dhe shqiptare, në intervistën e dhënë për mediat janë shprehur të kënaqur më këtë event që rikthen traditën por që i jep hov aktiviteteve kulturore në Shkodër.

Bujar Qamili, “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”: Ndjehem shumë i privilegjuar sepse isha një ndër ata shumë këngëtarë që ka Shkodra, që ta përfaqësoja unë me këngë popullore Shkodrane. E kam ndjekur koncertin nga fillimi deri në fund ishte me të vërtet diçka jashtëzakonisht shumë e bukur, sidomos kujtesa e atyre artistëve që kanë lënë jo gjurmë, por kanë lënë shenjë kaq të madhe në artin shkodran.   

Myfarete Laze, “Mjeshtre e Madhe”: Më vjen mirë që arritjet artistike po vijnë gjithnjë në rritje, nuk është pak. Është tamam për të luajtur me gjërat më të bukura që ka Shkodra, ndjesinë për të bukurën, për këngën, për ambientin, ndjesinë për vlerat që Shkodra nuk i harron kurrë. Pashë dhe mu kujtuan gjithë ato figura dhe me sa di unë kjo do të bëhet në vazhdimësi.

“Yjet nën yje” është një nisëm e Ministrisë së Kulturës e cila do të vijojë edhe në vitet e tjera me gërshetimin e artistëve që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar e ndërthurur kjo edhe me emrat e rinj që kanë ngjitur hapat në skenat shqiptare.

Klan News