Skandalet në lidhje me Ish-presidentin e Federatës Spanjolle, Luis Rubiales duket se nuk kanë fund. Një tjetër ka dalë në dritë së fundmi, me mediat spanjolle që raportojnë për një shpërdorim të fondeve gjatë pandemisë së Covid-19.

Portali spanjoll “The Objective” ka publikuar pjesë të bisedave, me gjasë që vijnë nga celulari i Rubiales, nga ku është propozuar një tentativë për të shpërdoruar fondet e UEFA-s të destinuara fillimisht për Federatën Spanjolle të Futbollit. Të përfshirë në këtë aferë janë Lionel Messi dhe Zherard Pike.

Asokohe, ish-dyshja e Barcelonës, i kërkuan ish-presidentit të Federatës Iberike të Futbollit që të gjente një zgjidhje me numrin një të UEFA-s, Aleksander Ceferin për të kompensuar pagën nga humbjet e shkaktuara nga pandemia. Nga këto dokumente del se, me kërkesë të dy lojtarëve, ​​Rubiales kontaktoi personalisht Ceferin.

Bisedat e para datojnë në 2 Prill 2020, ku Rubiales i kërkon presidentit të UEFA-s të mos dekonspirohet informacioni dhe të jetë sekret mes tyre. Në ditët në vijim, Rubiales, pasi ishte konsultuar me Messin dhe Pique’, do t’i dërgonte Ceferinit propozimin e tij financiar. Megjithatë, nuk dihet nëse në fund lojtarët morën dëmshpërblim apo jo. Aktualisht, Rubiales është i pezulluar nga UEFA dhe FIFA.

Klan News