Katër shqiptarët e Kosovës Blerim Krasniqi, Benjami Shala, Edonis Thaçi, Muhamed Krasniqi, të cilët u arrestuan nga Trafiqet e Tiranës, i merrnin në Serbi armët që i shisnin brenda vendit tonë.

Ata dyshohet se bashkëpunonin me persona serbë, të cilët armët i merrnin në Çeki, të prodhuara atje.

Policia ka mundur të identifikojë raste të tjera të shitjes së pistoletave përmes këqyrjes së aparateve celularë të tyre, ku janë gjetur komunikime mes tyre dhe personave të tjerë blerës të armëve.

Për këtë arsye janë kryer kontrolle banesash në disa qytete, por armët nuk janë gjetur. Kjo ka shtuar dyshimet se armët ishin të destinuara të dërgoheshin për t’u shitur në Greqi.

Blerësit e këtyre armëve, sipas burimeve pranë policisë, rezultojnë të jenë me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e drogës dhe krimeve të tjera të rënda.

Prangosja e katër personave u bë në afërsi të terminalit të autobusëve në Lundër, aty ku këta persona morën armët e zjarrit të cilat në Shqipëri i kishin futur përmes autobusëve të linjës Kosovë-Tiranë.

Pistoletat e sekuestruara në këtë operacion, ka dyshime se do të shiteshin për vlerën nga 1500-3000 Euro copa (Lexo më shumë).

Klan News