Donald Trump shpesh ka vënë në pikëpyetje aftësitë mendore të kundërshtarit të tij politik Joe Biden i cili garon gjithashtu për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ai shpesh ka ironizuar presidentin 81-vjeçar të SHBA për gafat e tij megjithatë nuk ka shpëtuar vetë nga ato.

Të shtunën në mbrëmje Trump, i cili mbushi 78 vjeç të premten, iu kthye kësaj teme gjatë një fjalimi në Detroit. Ai u shpreh me sarkazëm se Biden as që e di se çfarë do të thotë fjala inflacion dhe sfidoi rivalin e tij në zgjedhjet e 2024 që të bënte një test njohës ashtu siç kishte bërë kur ishte në Shtëpinë e Bardhë. Trump u tha mbështetësve të tij se ai e kishte kaluar me sukses testin njohës pas këshillave të mjekut presidencial të atëhershëm, Ronny Johnson i cili në fakt është Ronny Jackson.

Gafa e Trump të shtunën në mbrëmje u shpërnda menjëherë në mediat sociale ndërsa u shfrytëzua si moment nga ekipi që drejton fushtaën e presidentit Biden.

Mosha e dy kandidatëve të partive kryesore që konkurrojnë për president të SHBA-së këtë vit u kujton votuesve se Trump dhe Biden janë më të moshuarit që kërkojnë të zënë këtë post.

Mosha dhe aftësia  mendore kanë qenë në qendër të garës midis republikanit Trump dhe rivalit të tij demokrat, Presidentit Joe Biden, shpesh duke marrë më shumë vëmendje sesa çështjet thelbësore të politikave në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Klan News