Udhëheqësi i partisë “Tubimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë të Francës Jordan Bardella u kërkoi votuesve francezë t’i japin partisë së tij një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare në mënyrë që ajo të qeverisë me efikasitet.

Bardella tha se ai nuk do të jetë në gjendje të bëjë ndryshime nëse partia e tij arrin vetëm një shumicë relative në parlament.

“Dallimi midis kryeministrit francez Gabriel Attal dhe meje është se unë nuk kam në plan të jem bashkëpunëtor i presidentit. Dhe francezët janë plotësisht të vetëdijshëm nëse nesër unë do të emërohem kryeministër. Me një shumicë relative nuk mund të veproj. Prandaj i them popullit francez se për të vepruar, më duhet një shumicë absolute.”

Partia “Tubimi Kombëtar” kryeson sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 30 qershorit dhe 7 korrikut, më shumë përpara se aleanca e Frontit Popullor të krahut të majtë dhe kampi i Presidentit Emmanuel Macron. Por deri më tani në 577 zona elektorale të Francës, “Tubimi Kombëtar” nuk arrin të sigurojë shumicën absolute që do të garantonte qeverisjen dhe miratimin e ligjeve.

Sipas analistit Vincent Martigny një profesor i shkencave politike në Universitetin e Nicës asnjë kamp nuk do të jetë në gjendje të qeverisë i vetëm.

“Kjo është hera e parë që situata mund të bllokohet plotësisht, që do të thotë se asnjë nga tre blloqet kryesore nuk mund të gjejë një shumicë absolute. Secili prej këtyre blloqeve mund të gjejë në një farë mënyre ose një lloj tjetër koalicioni ose të paktën të pranojë parimin e një qeverie të pakicës.”

Kryeministri është thjesht një bashkëpunëtor i presidentit. Por në këtë lloj situate që ne në Francë e quajmë bashkëjetesë, Presidenti dhe Kryeministri janë jo të së njëjtës ngjyrë politike, atëherë kryeministri ka një rol shumë here më të rëndësishëm.

Franca rrezikon të përballet me një periudhë të paprecedentë bllokimi politik pas zgjedhjeve të parakohshme të ardhshme dhe presidenti Emmanuel Macron mund të zgjedhë të japë dorëheqjen për ta thyer atë. Kryeministri në Francë ka kompetenca gjithëpërfshirëse mbi axhendën e politikës së brendshme të vendit, me presidentin që ruan kontrollin mbi çështjet e jashtme dhe mbrojtjen.

Klan News