Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj shprehu bindjen se kjo parti do të fitojë bindshëm në Kavajë në zgjedhjet e ardhshme. Deklaratat Veliaj i bëri gjatë takimit me strukturat e PS ku shtoi se opozita është katandisur duke djegur goma në protesta.

“Saliu që bënte zap Shqipërinë dhe dhunonte çdo socialist, sot nuk bën dot zap as dritaren e tij. është katandisur ‘kokoshi një thelë. Sot, ata që digjnin gjithë Shqipërinë, djegin njëri-tjetrin me goma dhe molotovë. Më shumë digjen vetë, se sa i bëjnë ndonjë dëm Shqipërisë. Por, sfidën tonë më të madhe ne e kemi vitin tjetër, për ta kthyer Kavajën bindshëm në familjen socialiste. Kjo do të vijë vetëm nëse ky grup që nderojmë sot, me grupin që janë në sallë, do arrijnë të bashkëpunojnë si një familje. Ky është momenti për betejë, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit, për t’u fokusuar te beteja, te fitorja jonë e 2025.”

Gjatë takimit me socialistët e Kavajës, Erion Veliaj pati edhe një thirrje për të rinjtë dhe të rejat e PS.

“Keni ardhur në këtë familje në ditë shumë të mira, keni ardhur në një kohë kur jemi fitues, keni ardhur në një kohë kur nuk diskutohet fitorja jonë në të gjithë Shqipërinë. Madje, sipas cikleve zgjedhore, edhe në Kavajë, në gjysmën e betejave kemi dalë fitues, në një vend që as nuk diskutohej fare që të fitonte e majta dhe PS. Për ju që keni ardhur të rinj, ju lutem jepni kontributin tuaj, mos ardhshin kurrë ato ditë të vështira, por më e rëndësishmja kujtoni kush e mbajti këtë parti kur socialistët përndiqeshin dhe rriheshin publikisht në sheshet e Kavajës dhe gjithë Shqipërisë.”

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Veliaj tha gjithashtu se Kavaja dhe e gjithë Shqipëria kanë pësuar një rritje të fluksit të turistëve dhe të ekonomisë, falë përkushtimit të qeverisë.

Klan News