Ura e Babrroit që lidh Tiranën e Kamzën do të hapet për automjetet në muajin Qershor. Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve tha se Tirana dhe Kamza po bashkohen përmes infrastrukturës.

“Mezi pres që ta hapim në fund të Qershorit, që të gjithë ata që do të shkojnë mes Kamzës dhe Tiranës, Babrrusë, Paskuqanit gjatë verës, të ndihet një lehtësim. Ne i gëzohemi turistëve që vijnë dhe parave që shpenzojnë këtu, por harrojmë se qyteti nuk ndërtohet nga turistët, por nga njerëzit e punës. Pjesa më e madhe e njerëzve të punës jashtë Tirane vijnë nga Kamza, Paskuqani dhe Babrroi. Sot kemi reflektuar dhe kjo urë do të bashkojë Tiranën dhe Kamzën në një lidhje e cila më shumë se sa lidhje infrastrukture, është një lidhje ekonomike”.

Kreu i bashkisë tha se pas përfundimit të urës, në njërën do  të jetë Unaza e Madhe, ndërsa në anën tjetër të krijohet një park linear, i cili do u shërbejë për të gjithë banorët e zonës.

“Nuk është ky momenti të gjykojmë historinë 30-vjeçare të ndërtimeve pa leje buzë lumit, por mjafton të shikojmë se si pemët që janë mbjellë buzë lumit, se si rehabilitimi i Lumit të Tiranës, e ka bërë një “përrallë nga e kaluara” historinë e përmbytjeve. Tani që e kemi trajtuar, lumi duhet të kthehet gjithashtu në një park. Pra, në njërën anë të lumit do kemi autostradën, unazën, e cila po ecën me ritme të jashtëzakonshme nga ARRSH-ja, ndërsa në anën tjetër të lumit do të kemi një park linear, ku njerëzit duhet të bashkëjetojnë edhe me pjesën urbane të trafikut dhe të ritmit ekonomik që ka Tirana”.

Veliaj u ndal edhe tek ndërtimet pa leje, të cilat do të shpronësohen për ndërtime infrastrukturore. Sipas tij, Tirana nuk mund të pengohet në inspektime nga një pakicë e ndërtimeve të tilla.

Tv Klan