INSTAT: Do të zgjasë 6 javë. Për herë të parë përgjigjet do të regjistrohen në tableta

INSTAT ka njoftuar në 18 shtator 2023 do të nisi censi i popullsisë dhe i banesave dhe do të zgjasë 6 javë. Njoftimi i INSTAT për zhvillimin e censit ka ardhur pasi e shtyu për tre herë rresht. Synimi i censit është t’i sigurojë qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion statistikor të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, si dhe për të kuptuar situatën demografike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Bizneset po ashtu kanë nevojë për të dhëna të censit për të përcaktuar se ku mund të lokalizojnë dyqanet, për të vlerësuar forcën e mundshme të punës dhe për të vlerësuar tregjet e blerësve etj. Censi është i rëndësishëm sepse prodhimi i rezultateve çdo dhjetë vjet është një kërkesë në nivel botëror dhe ndihmon procesin e integrimit për t’u bashkuar me BE-në.

Njohja e numrit dhe strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë është jetike për vendin tonë, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, si dhe brenda komuniteteve të ndryshme.

Në vitin 2023, për herë të parë përgjigjet do të regjistrohen nga anketuesit në tableta. Përgjigja do të marrë më pak kohë sesa përgjigjet për një pyetësor të bazuar në letër.
Censi kërkon informacion mbi karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike të individëve.

Kjo përfshin pyetje në lidhje me moshën, gjininë, vendin e lindjes, nivelin e arsimit, statusin e punësimit, etninë, fenë, si dhe kushtet e banimit. Censi i fundit në vend është bërë në vitit 2011.

Klan News