Sikur të mos mjaftonte humbja 2-1 kundër Italisë, Shqipëria rrezikon ndëshkime disiplinore nga UEFA. Kjo pasi organizmi më i lartë i futbollit europian, ka nisur procedimin disiplinor ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit për incidentet e ndodhura në fushën e Dortmund.

Hyrja e tifozëve në fushë, por edhe hedhja e objekteve të forta mund të sjellin pasoja të ndryshme për tifozët kuqezi. Organi drejtues i futbollit europian ka nisur gjithashtu procedurat për ndezjen e fishekzjarreve nga tifozët shqiptarë gjatë ndeshjes së Grupit B, si dhe për “transmetimin e një mesazhi provokues të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”.

UEFA nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me mesazhin që pretendohet se është transmetuar. Tashmë mbetet në dorën e komisionit disiplinor të UEFA-s për të marrë vendimin, që shpresojmë të mos ndalojë vrullin kuqezi në impiantet gjermane. Sfida e radhës për Shqipërinë e grupit B do të jetë ndaj Kroacisë më 19 Qershor dhe 5 ditë më vonë kundër Spanjës në Dyseldorf.

Tv Klan