Përfaqësues të rrjetit të qyteteve B40 mblidhen në Tiranë për ndryshimet klimatike. Teksa vlerësoi bahskëpunimin mes qyteteve, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se detyra e të zgjedhurve me votë është të marrin vendime në kohën e duhur.

“Kur transformimet ndodhin shumë shpejt ka disa njerëz që i duartrokasin, thonë: ‘Shumë mirë, të mbajmë ritmin’. Ka disa njerëz që, si themi ne, ‘i zë makina’, kanë një lloj nauze nga zhvillimet e shpejta dhe thonë: ‘I duam gjërat siç ishin’. Por, detyra e atyre që merren me politikë dhe zgjidhen me votë është të marrin vendime”.

Sipas Veliajt, takimi i B40 shërben edhe për të patur një organizim të përbashkët në kuadër të qyteteve dhe zhvillimit të tyre.

“Nuk mjafton që një qytet të bëjë histori suksesi duke mbjellë pemë dhe një tjetër t’i presë pemët. Ky lloj organizimi është si një orkestër, që funksionon së bashku. Ne jemi duke rritur atë që quhet tenda e gjelbër e qytetit, për efekt të uljes së temperaturës. Po të shikoni rrugët kryesore të qytetit, ne përzgjedhim pemë që krijojnë strehë, për t’u siguruar që kur qytetarët shkojnë në punë, në shkollë, apo fëmijët kur shkojnë në kopësht dhe çerdhe, të ecin në rrugë me temperaturë më të ulët. Dua të kujtoj se Parku i Liqenit të Tiranës sot është një nga vendet më të vizituara, por nuk ishte i tillë para 8 vitesh. Atëherë kishim vetëm gjysmën e Liqenit funksionale, gjysma tjetër ishte e zaptuar”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se po punohet edhe për projektin që pritet të finalizojë ndërtimin e disa shtigjeve të gjelbra, që do të lidhë dy parqet qendrore me njëri-tjetrin në kryeqytet.

Tv Klan