Kriza, Britania e Madhe në recesion

Britania e Madhe është e para nga ekonomitë e fuqishme  evropiane që bie në recesion. Këtë e pohoi Dhoma e Tregtisë në Londër duke pranuar se ishte e zhgënjyer nga mosveprimi i qeverisë Brown për shpëtimin e ekonomisë nga kriza. Në bazë të veprimtarive të 5000 kompanie të biznesit, Dhoma e Tregtisë tha se kriza po thellohet dita ditës dhe Britania po përballet me një zhvillim të ulët ekonomik dhe papunësinë rritje.

Bizneset e mëdha dhe të vogla në vend i kanë kërkuar qeverisë Brown dhe bankës Qendrore të marrë masa urgjente për të parandaluar një recesion akoma më të madh. Komiteti për politikat monetare  kërkohet të ulë normat e interesit me 0.5% ndërsa qeverisë i kërkohet të ulë taksat. Pak kohë më parë si Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan se në vjeshtë Britania e Madhe do të hynte në recesion.

Kriza, bursat mbeten të trazuara

Ndërsa Banka Evropiane hodhi 50 miliard euro në treg, duket se vendosmëria e vendeve të euros për të nxjerrë ekonomitë nga kriza nuk po materializohet. Tërmeti që ra të hënën në bursa i ka kushtuar kontinentit plak 450 miliard euro të djegura me një ditë që me të drejtë tregjet e quajtën e hëna e zezë. Në mëngjesin e të martës bursat ishin praktikisht me maskë oksigjeni. Gjatë paradites pati një stabilizim të lehtë dhe më pas u regjistruan rënie në Milano, Frankfurt, Paris dhe Londër. Ndërsa tregjet Aziatike vazhdojnë të mbeten të lëkundura Australia shkurtoi normën e interesit me 1%. Bursat ruse pas humbjeve gjigande të hënën refuzojnë  të përballen me të tjera dhe janë mbyllur, por ndërkaq presidenti rus Dimitri Medvedev njoftoi dhënien e kredive deri në 26.7 miliard euro për të shpëtuar bankat ruse nga kjo krizë.

Destabilizmi në tregje pasqyron qartë dyshimet dhe frikën se plani amerikan 700 miliard dollarësh nuk do të mund ta ndalë krizën, dallgët e së cilës kanë përpirë institucione më të mëdha financiare të botës./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle