Këtë të Dielë besimtarët myslimanë festojnë festën e Kurban Bajramit. Në orët e para të mëngjesit, besimtarët u mblodhën për të falur namazin në sheshet kryesore të qyteteve. Mijëra besimtarë myslimanë në Elbasan u mblodhën në sheshin “Gensher” për të kryer ritin e faljes së Kurban Bajramit.

Në Durrës, falja u bë në xhaminë e madhe të qytetit. Edhe në Gjirokastër kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit. Falja e Namazit është zhvilluar në mjediset e Pallatit të Sportit me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë.

Ora 6 e mëngjesit mblodhi besimtarët në sheshe dhe në Lezhë, ndërsa besimtarët në Dibër, faljen e shenjtë e bënë në stadium.

Myftiu i Fierit, Mikel Hazizolli përcolli mesazhin e paqes në faljen e madhe, duke kujtuar vëmendjen për njerëzit në nevojë.

Aorel Senja, kryemyftiu i Gjirokastrës: Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, përkushtimit, sinqeritetit dhe devotshmërisë së njeriut ndaj Zotit, ndaj krijuesit të tij. Nuk është vetëm adhurim ndaj Zotit, por ditë që ndajmë gëzimin tonë me vëllezërit e motrat tona. Edhe te njerëzit në nevojë, duke na kujtuar se duhet të jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

Besimtarët luten për më shumë paqe dhe harmoni. Simbol i festës së Kurban Bajramit është kurbani që i dedikohet krijuesit, dhe një pjesë e tij ndahet me njerëzit në nevojë.

Klan News